Prej 19 vitesh në hyrje të Orikumit – Artizani nga Bilishti që krijon plazhin me duart e veta

Prej 19 vitesh në hyrje të Orikumit – Artizani nga Bilishti që krijon plazhin me duart e veta

Faik Shoshara, një mjeshtër i vërtetë i punimeve artizanale, prej 19 vitesh është vendosur në hyrje të Orikumit, aty ku çdo verë krijon nga e para çadrat dhe gjithçka tjetër që i nevojitet një plazhi. I ardhur nga Bilishti, Faiku zhvendoset çdo sezon veror në bregdet së bashku me familjen e tij, për të ndërtuar me duart e veta hijen që i mbron pushuesit nga dielli.

Krijimet e tij janë të gjitha artizanale, të punuara me kashte, kallama dhe materiale natyrale, duke ruajtur teknikat tradicionale që thotë se i ka trashëguar nga të parët e tij. Çdo çadër plazhi kërkon më shumë se 4 orë punë, por Faiku realizon edhe ndarje për kabina, stenda dhe elementë dekorativë të plazhit.

“E kam nisur si pasion, e mbaj si zanat, por më shumë e shoh si një formë për të ruajtur një pjesë të kulturës sonë që po humbet,” – thotë ai për BlueTV.

Me kalimin e viteve, puna e tij është bërë e kërkuar në të gjithë bregdetin shqiptar, nga veriu në jug. Jo vetëm për cilësinë, por edhe për autenticitetin dhe ndjesinë e ngrohtë që përcjellin punimet e tij.

Në këtë rrugëtim nuk është vetëm – punon krah për krah me fëmijët dhe bashkëshorten, ndërsa tregon me krenari se është ndihmuar gjithashtu edhe nga banorë të zonës së Orikumit, që e kanë pranuar si “të vetin”.

“Pas 19 vitesh, ende e ndjej njësoj emocionin si ditën e parë. Më gëzon fakti që puna ime vlerësohet dhe shpresoj ta trashëgoj edhe te fëmijët,” – thotë Faiku.

Ai është shembull i rrallë i punës me përkushtim, që në një botë gjithnjë e më industriale, vazhdon të ruajë lidhjen mes njeriut dhe natyrës përmes mjeshtërisë së dorës.

Lajmi nga: Elton Nika
Elton Nika

Elton Nika

Elton Nika është gazetar i njohur nga Vlora, me një karrierë të gjatë në raportimin e lajmeve lokale dhe kombëtare. Aktualisht, ai kontribuon në Blu TV me kronika nga terreni dhe emisione informuese.

Komente

-