Pas publikimit të lajmit në BluTV mbi situatën e menaxhimit të sezonit turistik në Vlorë, ka ardhur edhe reagimi i Prefektit të Qarkut, Plator Nesturi, i cili në një intervistë ka vënë theksin te puna e përditshme e Task Forcës dhe bashkërendimi me institucionet përgjegjëse për garantimin e një sezoni turistik të qetë dhe të suksesshëm.
“Jam në komunikim të vazhdueshëm me të gjitha institucionet përkatëse për të adresuar problematika si parkimet publike, djegia e fushës së mbetjeve apo situatat që lidhen me zjarret,” – tha Nesturi, duke nënvizuar se puna nuk ndalet dhe se kërkohet gatishmëri e plotë.
Ai shtoi se që në nisje të sezonit është siguruar funksionimi i qendrave shëndetësore verore, si dhe sinjalistika detare, ndërsa theksoi se mbledhjet me grupin e Task Forcës janë të përditshme dhe intensive.
“Ky sezon na gjen në gatishmëri. Administrata duhet të jetë maksimalisht e angazhuar. Nuk do të ketë pushime të gjata – gjithçka do të bëhet me koordinim që të jemi në shërbim të qytetarëve dhe turistëve deri në fund të sezonit,” – u shpreh prefekti, duke bërë thirrje për përkushtim të shtuar nga të gjitha strukturat shtetërore.
Sipas tij, qëllimi i Task Forcës është që problematikat aktuale të minimizohen dhe prej muajit korrik të jenë evituar plotësisht, për të garantuar një sezon sa më të mbarë për qytetin e Vlorës.
Armandi Xhelilaj është gazetar me përvojë të gjatë në median vizive dhe të shkruar, me fokus në raportimin nga terreni dhe trajtimin e problematikave sociale e komunitare. Me një formim akademik në Gazetari-Komunikim dhe eksperiencë në televizione ai ka dëshmuar profesionalizëm dhe angazhim të vazhdueshëm në fushën e informimit.
Komente