Pop Mart, kompania kineze që qëndron pas kukullave të njohura Labubu ka njoftuar se fitimet e saj pritet të rriten për më shumë se 350% në gjashtëmujorin e parë të vitit duke theksuar një rritje të të ardhurave që kanë më shumë se trefishuar.
Kompania me seli në Pekin dhe një vlerë tregu prej mbi 40 miliardë dollarësh (31.6 miliardë paund), deklaroi se rritja e fitimeve është nxitur nga njohja në rritje e markës në mbarë botën dhe kontrollet e kostos.
Kukullat Labubu, krijesa imagjinare me pamjen e një elfi dhe dhëmbë të mprehtë kanë bërë që koleksionistët të fiksohen pas tyre dhe të krijojnë radhë të gjata në dyqane. Videot e tyre duke blerë dhe duke treguar kukullat në rrjetet sociale janë bërë aq popullore duke u kthyer në një fenomen global dhe duke kontriubuar që të gjithë të blejnë kukulla Labubu.
Pop Mart është e njohur për shitjen e lodrave në kutia "të verbra" (blind boxes) një lloj ambalazhi që fsheh përmbajtjen deri sa të hapet. Kjo taktikë marketingu ka marrë kritika për inkurajimin e sjelljeve të ngjashme me lojërat e fatit dhe blerjeve kompulsive.
Lancuar në vitin 2019, kukullat Labubu ndihmuan kompaninë të bëhej një shitës kryesor me më shumë se 2,000 makina dhe dyqane automatike që operuarojnë në mbarë botën. Pop Mart filloi të shesë aksionet e saj në Bursën e Hong Kongut në vitin 2020 dhe vlerësimi i saj i tregut ka shënuar një rritje prej pothuajse 600% vetëm vitin e kaluar.
Në vitin 2024, shitjet jashtë Kinës kontribuuan për rreth 40% të të ardhurave totale të kompanisë.
Shumë dyqane në mbarë botën e ndaluan shitjen e kukullave Labubu për shkak të kërkesës jashtëzakonisht të madhe.
Popullariteti i kukullave Labubu është rritur edhe në SHBA, falë mbështetjes nga personazhe të famshëm si Kim Kardashian dhe Lisa nga grupi shumë i njohur korean Blackpink. Po ashtu, partneritetet e Pop Mart me marka të mëdha si Coca-Cola dhe seria e famshme e mangave shumë e dashur One Piece kanë kontribuar në rritjen e njohjes dhe blerjes së produktit në mbarë botën.
Në qershor, shitjet e Labubu në SHBA u rritën me 5,000% krahasuar me një vit më parë, sipas llogaritjeve të firmës së kërkimit të aksioneve M Science.
Vinci Zhang, analist i lartë i M Science është shprehur se nuk ka parë asgjë të ngjashme më parë nga kompani të tjera lodrash.
Kompanisë i pritet një mundësi e madhe në SHBA ku operon me rreth 40 dyqane, krahasuar me afërsisht 400 në Kinë, shtoi ai.
Kjo çmenduri blerjeje ka krijuar një treg të madh ku kukullat të cilat shiteshin fillimisht rreth 10 dollarë, mund të arrijnë çmime që shkojnë deri në qindra dollarë. Në qershor, një kukull Labubu e madhe ka arritur të shitet për 150,000 dollarë në një ankand në Pekin.
Popullariteti i Labubu ka nxitur gjithashtu një rritje të falsifikimeve, të njohura si kukullat Lafufu. Autoritetet kineze konfiskuan më shumë se 46,000 lodra të falsifikuara Labubu në qershor duke marrë masa kundër tregut të zi në rritje për këto kukulla.
Ky fenomen ka bërë që Pop Mart të shënojë një periudhë të jashtëzakonshme rritjeje dhe popullariteti, duke e vendosur Labubu-n si një nga emrat më të njohur në industrinë globale të lodrave.
Komente