Policia Kufitare shpëton babë e bir nga mbytja në liqenin e Pogradecit

Policia Kufitare shpëton babë e bir nga mbytja në liqenin e Pogradecit

Dy persona, babë e bir, janë shpëtuar nga Policia Kufitare Korçë pasi rrezikonin të mbyteshin në liqenin e Pogradecit, si pasojë e përkeqësimit të motit. Ngjarja ndodhi gjatë një daljeje për peshkim, kur kushtet atmosferike të pafavorshme u bënë pengesë për kthimin e tyre në breg.

Sipas njoftimit zyrtar, në sallën operative të Drejtorisë Vendore për Kufirin dhe Migracionin Korçë kishte mbërritur një telefonatë urgjente për ndihmë nga dy shtetas që ndodheshin në liqen me një varkë peshkimi. Menjëherë pas marrjes së informacionit, shërbimet e Policisë Kufitare u angazhuan me mjetin lundrues “Skaf”, duke lokalizuar varkën rreth 1.5 milje larg bregut dhe duke bërë të mundur kthimin e sigurt të tyre në mol.

Fatmirësisht, gjendja shëndetësore e dy qytetarëve është e mirë, ndërsa ata kanë falënderuar forcat e Policisë për reagimin e shpejtë dhe profesionalizmin e treguar.

Policia Kufitare thekson se mbetet e angazhuar në shërbim të qytetarëve, vizitorëve dhe turistëve në të gjithë zonën, dhe u bën thirrje të gjithëve që në raste rreziku të telefonojnë në numrin pa pagesë 112.

Lajmi nga: BLU TV Reports

Komente

-