Policia e Vlorës po zbaton një plan të posaçëm operacional për parandalimin e ndotjes akustike gjatë sezonit turistik, si pjesë e angazhimit për të garantuar një mjedis të qetë dhe të sigurt për qytetarët dhe pushuesit. Nisma është ndërmarrë edhe në përgjigje të ankesave të shumta për muzikën e lartë në lokale, veçanërisht pas orareve të lejuara.
Në kuadër të këtij plani, pasditen e djeshme, Zëvendësdrejtori për Rendin dhe Sigurinë, së bashku me drejtues të Komisariatit të Policisë Vlorë dhe oficerë të zonës, zhvilluan takime me pronarët dhe administratorët e lokaleve përgjatë Lungomares dhe zonave përreth saj.
Qëllimi i këtyre takimeve ishte informimi dhe ndërgjegjësimi mbi kuadrin ligjor që përcakton kufijtë e lejuar të zhurmës dhe oraret për përdorimin e muzikës. Sipas ligjit, në zonat turistike dhe të banuara, muzika në ambiente të hapura lejohet nga ora 11:00 deri në orën 24:00.
Policia paralajmëron masa të rrepta për shkelësit:
Gjoba administrative nga 200 000 deri në 400 000 lekë për tejkalim të nivelit të lejuar të zhurmës;
Mbyllje e muzikës;
Mbyllje e aktivitetit dhe nisje e procedimeve penale në raste të përsëritura.
Paralelisht me fushatën ndërgjegjësuese, Policia e Vlorës vijon monitorimin aktiv në terren, duke bërë të ditur se çdo shkelës do të përballet me ndëshkime sipas ligjit në fuqi. Qëllimi: një sezon turistik i sigurt, i rregullt dhe me respekt të ndërsjellë për komunitetin.
Komente