Në kulmin e sezonit turistik, bregdeti i Vlorës është mbushur me pushues vendas dhe të huaj. Por, ndërsa plazhi dhe dielli tërheqin mijëra vizitorë, mënyra se si ata organizohen për një ditë pushimi është krejt e ndryshme.
Për turistët e huaj, një drekë në restorant është pjesë e zakonshme e pushimeve, por për shumë qytetarë vendas, plazhi shpesh nënkupton një dreke të thjeshtë dhe të lirë – shpesh me bukë dhe domate.
Arsyet për këtë zgjedhje janë të ndryshme: nga gjendja ekonomike deri te dëshira për të kursyer, por një faktor i rëndësishëm mbetet edhe siguria ushqimore. Restorantet në zonat turistike të Vlorës janë më të frekuentuara nga turistët e huaj, të cilët shpenzojnë më lirshëm, duke kontribuar në rritjen e qarkullimit ekonomik të zonës.
Specialistët e turizmit theksojnë rëndësinë e sezonit turistik si një burim të ardhurash për qytetin dhe përshëndesin çdo shpenzim të turistëve – nga një kafe në mëngjes deri te një drekë në restorant – si një mundësi për gjallërimin ekonomik të zonës.
Në fund, pushimet në Vlorë ofrojnë mundësi për çdo xhep: qoftë ato me bukë dhe domate në çadër, apo me gatime tradicionale buzë detit.
Vjola Murati është spikere dhe gazetare në Blu Televizion, me një formim akademik në Shkenca Sociale dhe Komunikim nga Universiteti i Tiranës. Ajo sjell në ekran profesionalizëm, ndjeshmëri dhe përkushtim ndaj realitetit të komunitetit vendas.
Komente