Vlorë, 6 korrik 2025 – Strukturat e Drejtorisë Vendore të Policisë Vlorë janë angazhuar maksimalisht në të gjithë qarkun në kuadër të operacionit policor të koduar “Plazhi i Lirë”, i cili ka si qëllim lirimin e hapësirave publike për pushuesit dhe kontrollin e aktiviteteve të subjekteve që operojnë gjatë sezonit turistik veror.
Si rezultat i kontrolleve të kryera në lagjen “Uji i Ftohtë”, shërbimet e Komisariatit të Policisë Vlorë, në bashkëpunim me Policinë Bashkiake, kanë liruar një sipërfaqe publike prej 300 m², e cila ishte zënë në mënyrë të paligjshme nga një subjekt privat pranë një restoranti në zonën bregdetare.
Policia bëri të ditur se administratori i subjektit, shtetasi G. I., 62 vjeç, banues në Orikum, kishte vendosur në këtë hapësirë publike çadra, shezlongë dhe tavolina plazhi, pa pasur asnjë lloj leje nga autoritetet përkatëse.
Për këtë shkelje, është referuar materiali në Prokurorinë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Vlorë, dhe ndaj shtetasit G. I. ka nisur procedimi penal për veprën “Pushtimi i tokës”, parashikuar nga neni 200 i Kodit Penal.
Policia e Vlorës bën me dije se do të vijojë kontrollet intensive në të gjithë vijën bregdetare të qarkut, për të garantuar përdorimin e lirë dhe të drejtë të hapësirave publike nga pushuesit, si dhe për të ndëshkuar çdo subjekt që shkel ligjin.
Armandi Xhelilaj është gazetar me përvojë të gjatë në median vizive dhe të shkruar, me fokus në raportimin nga terreni dhe trajtimin e problematikave sociale e komunitare. Me një formim akademik në Gazetari-Komunikim dhe eksperiencë në televizione ai ka dëshmuar profesionalizëm dhe angazhim të vazhdueshëm në fushën e informimit.
Komente