Prej dy javësh, strukturat e Policisë së Shtetit janë angazhuar në zbatimin e planit të posaçëm të masave për mbarëvajtjen e sezonit turistik veror 2025, duke goditur shkeljet në zonat bregdetare nga Velipoja në Ksamil.
Bilanci i operacionit “Plazh i lirë”:
- 1230 komplete çadra dhe shezlongë të sekuestruara për zënie të paligjshme të hapësirave publike.
- 27 shtetas të proceduar penalisht.
- 16 mjete lundruese (Jet Ski dhe skafe) të bllokuara për shkelje të perimetrit të sigurisë.
- 14 persona proceduar për shfrytëzim të hapësirave publike për parkim të paligjshëm.
- 98 automjete dhe 34 motomjete të bllokuara për parkim të gabuar në qytete turistike.
- 15 shtetas të proceduar për ndotje akustike, 72 automjete që gjeneronin zhurmë të lartë janë bllokuar.
- 2 persona të arrestuar dhe 9 të tjerë në hetim për ndotje të mjedisit tokësor dhe ujor.
Masa në terren nga Policia Detare, Rrugore dhe Bashkiake
Policia, në bashkëpunim me njësitë detare dhe bashkiake, ka zhvilluar kontrolle të përbashkëta përgjatë vijës bregdetare. U evidentuan 16 raste shkeljeje të perimetrit të sigurisë, 5 prej tyre të denoncuara nga qytetarët në rrjete sociale.
Në zonat urbane si Tirana, Durrësi dhe Vlora, Policia Rrugore vijon lirimin e trotuareve dhe vijave të bardha nga automjetet e parkuara në kundërshtim me ligjin, duke përdorur karrotrec për të transportuar mjetet në pikat e bllokimit.
Ndotja akustike dhe mjedisore, në fokus
Kontrollet e Policisë janë shtrirë edhe ndaj lokaleve dhe mjeteve që tejkalojnë nivelin e lejuar të zhurmës. Janë përdorur aparatura të certifikuara matëse për të vlerësuar ndotjen akustike, sidomos në zonat turistike të natës.
Në të katër qytetet kryesore (Vlorë, Tiranë, Lushnjë dhe Shkodër), janë identifikuar raste të ndotjes së mjedisit për të cilat janë marrë masa penale.
Thirrja e Policisë së Shtetit
Policia u bën thirrje:
Administratorëve të bizneseve turistike, të mos zënë hapësira publike dhe të respektojnë kufijtë e zhurmës.
Drejtuesve të mjeteve, të shmangin parkimin në vende të ndaluara.
Qytetarëve, të denoncojnë çdo shkelje në numrin 112, duke u garantuar reagim të menjëhershëm dhe të paanshëm.
Komente