Një grup shkencëtarësh japonezë ka zhvilluar një lloj të ri plastike miqësore me ambientin, e cila tretet plotësisht në ujë të kripur, duke ofruar një zgjidhje të re për ndotjen nga plastika në oqeane.
“Kjo mund të duket si plastikë e zakonshme, por në të vërtetë është krijuar nga materiale që treten në ujë të kripur,” shpjegon Takuza Aida, udhëheqës i ekipit të kërkimit. Lëndët e para që përdoren për prodhimin e saj mund të dekompozohen nga bakteret, duke u kthyer më pas në substanca të padëmshme për mjedisin.
Plastika e re është jashtëzakonisht e ndjeshme ndaj kripës. Pasi zhytet në ujë deti, ajo tretet brenda dy deri në tre orë, në varësi të trashësisë dhe madhësisë së copës.
Sipas studiuesve, ky material mund të ndihmojë në uljen e prodhimit të plastikës me bazë nafte dhe reduktimin e ndotjes plastike që përfshin edhe mikroplastikën. Sipas të dhënave të Programit të Kombeve të Bashkuara për Mjedisin, në vitin 2020 rreth 2.7 milionë ton mikroplastikë përfunduan në mjedis, përfshirë edhe detin.
“Sasia e plastikës që prodhohet po rritet çdo vit. Nëse arrijmë ta ndalim këtë rritje dhe të nisim ta ulim, kjo do të ishte kontributi më domethënës që mund të jepnim,” përfundon Aida.
Armandi Xhelilaj është gazetar me përvojë të gjatë në median vizive dhe të shkruar, me fokus në raportimin nga terreni dhe trajtimin e problematikave sociale e komunitare. Me një formim akademik në Gazetari-Komunikim dhe eksperiencë në televizione ai ka dëshmuar profesionalizëm dhe angazhim të vazhdueshëm në fushën e informimit.
Komente