Plani i qeverisë britanike për të krijuar marrëveshje me vende si Serbia, Bosnja dhe Maqedonia e Veriut për strehimin e emigrantëve të deportuar, ka ngritur shqetësime të mëdha në rajon. Mediat gjermane rikujtojnë se marrëveshje të tilla janë diskutuar më parë edhe me Shqipërinë, por janë refuzuar nga kryeministri Edi Rama.
Ndërkohë, Shtetet e Bashkuara kanë arritur një ujdi me Kosovën për të strehuar rreth 50 migrantë të deportuar nga SHBA, çka forcon zërat se Ballkani Perëndimor po shihet gjithnjë e më shumë si një qendër deportimi nga vendet perëndimore.
Në Bosnje, debati është ndezur sërish pas valëve të emigrantëve që kanë kaluar përmes territorit të saj vitet e fundit, shpesh duke rrezikuar jetën në kufij ilegalë. Megjithatë, zbatimi i një marrëveshjeje ripranimi nga Britania e Madhe mbetet i pamundur pa miratimin e tre grupeve etnike të vendit, një proces kompleks që kërkon konsensus dhe, ndoshta, interesa të tjera të nëndheshme politike.
Organizata “Human Rights Watch” ka reaguar duke kritikuar idenë e krijimit të të ashtuquajturave Qendra Kthimi për azilkërkuesit në vendet e treta. Sipas tyre, Bashkimi Europian dhe Mbretëria e Bashkuar duhet të ndalojnë së përdoruri Ballkanin si “depo migrantësh” dhe, në vend të kësaj, të ndihmojnë në ndërtimin e sistemeve të forta të azilit dhe mbrojtjes së të drejtave të emigrantëve në vendet e origjinës.
Ariola është një gazetare e re dhe energjike në ekipin e Blu TV, e njohur për qasjen e saj dinamike ndaj lajmit dhe pasionin për gazetarinë terreni. Ajo sjell një zë të freskët dhe angazhim të vazhdueshëm në pasqyrimin e problematikave sociale dhe zhvillimeve aktuale, duke qenë afër komunitetit dhe duke raportuar me saktësi e profesionalizëm.
Komente