Qeveria ka prezantuar një plan masash për pesë vitet e ardhshme që synon përmirësimin e kushteve të jetesës për të moshuarit, përmes riaktivizimit të tyre në tregun e punës dhe një sërë lehtësirash ekonomike e sociale.
Sipas nismës, do të krijohen mundësi të reja punësimi për moshën e tretë, veçanërisht në sektorët e gjelbër dhe në ndërmarrjet sociale. Këto do të funksionojnë si modele të vetëpunësimit dhe angazhimit të të moshuarve në aktivitete që gjenerojnë të ardhura.
Gjithashtu, parashikohet heqja e taksës vjetore për automjetet vetjake të personave mbi 65 vjeç, eliminimi i tatimeve për banesat dhe tokën, si dhe ulja e gjobave dhe kamatëvonesave. Lehtësira do të ketë edhe në aksesin bankar, përmes zhvillimit të llogarive kombëtare të transfertave dhe përmirësimit të shërbimeve financiare për këtë kategori.
Aktualisht janë mbi 608 mijë pensionistë në zonat urbane dhe mbi 96 mijë në zonat rurale që mund të përfitojnë nga ky plan. Megjithatë, kërkesa kryesore e të moshuarve mbetet rritja e pensioneve në nivele dinjitoze, të krahasueshme me vendet e rajonit dhe Europës.
Armandi Xhelilaj është gazetar me përvojë të gjatë në median vizive dhe të shkruar, me fokus në raportimin nga terreni dhe trajtimin e problematikave sociale e komunitare. Me një formim akademik në Gazetari-Komunikim dhe eksperiencë në televizione ai ka dëshmuar profesionalizëm dhe angazhim të vazhdueshëm në fushën e informimit.
Komente