Plagosja e turistit gjerman me gomone – Gjykata e Vlorës liron Krenar Velajn, ndryshon masa e sigurisë

Plagosja e turistit gjerman me gomone – Gjykata e Vlorës liron Krenar Velajn, ndryshon masa e sigurisë

Krenar Velaj, 27 vjeç, i cili disa ditë më parë plagosi një turist gjerman teksa po lundronte me gomone në ujërat e Vlorës, është lënë i lirë me vendim të Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Vlorë.

Seanca gjyqësore e zhvilluar sot me dyer të mbyllura përfundoi me ndryshimin e masës së sigurisë nga “arrest me burg” në “detyrim paraqitje” për Velajn. Vendimi është marrë nga gjyqtari Bevil Beqiraj, i cili argumentoi se rasti nuk përmbush elementët e nenit 88 të Kodit Penal për plagosje me dashje.

Sipas gjykatës, Velaj ndodhej në kushte të rregullta të lundrimit, ndërsa i plagosuri nuk kishte asnjë shenjë dalluese që tregonte se ishte duke ushtruar aktivitet zhytjeje në atë zonë. Gjithashtu, u theksua se zona ku ndodhi ngjarja nuk ishte e përcaktuar si vend zhytjeje, duke e bërë të pamundur që Velaj të kishte dijeni për praninë e zhytësit.

Turisti gjerman ndodhet ende në spital, por gjendja e tij është stabilizuar dhe ka dalë nga rreziku për jetën, pas plagëve të marra nga incidenti.

Hetimet për këtë ngjarje vijojnë, ndërsa rasti ka sjellë në vëmendje nevojën për rregullim më të rreptë të aktivitetit detar dhe masave të sigurisë në zonat bregdetare, sidomos gjatë sezonit turistik.

Lajmi nga: BLU TV Reports

Komente

-