Tharja e rreth 30 pishave në shetitoren e Sarandës ka ndezur reagime të shumta nga qytetarët, duke u kthyer në një shqetësim serioz publik. Kjo çështje, që u trajtua një ditë më parë edhe në kronikën e BlueTV, sot vjen me një zë të veçantë: ekspertin 93-vjeçar të gjelbërimit, Prokop Qirjaqi, i cili për më shumë se 5 dekada ka kontribuar në gjelbërimin e qytetit bregdetar.
Në një intervistë për BlueTV, Qirjaqi, i cili është edhe një nga protagonistët historikë të mbjelljes së mbi 1500 palmave nga Saranda në Skelë të Vlorës, flet me dhimbje për situatën alarmante të pishave të thara.
“Është dhimbje dhe shqetësim, jo vetëm profesional, por njerëzor,” – shprehet ai.
Sipas tij, shkaqet janë të shumta dhe komplekse, që nga përzgjedhja e gabuar e specieve, deri te mungesa e mirëmbajtjes dhe ndikimet klimatike. Qirjaqi thekson se lloji i pishës së mbjellë aktualisht nuk i përshtatet mjedisit urban të bulevardit.
“Këto pisha lëshojnë rrëshirë, zgjerojnë trungun dhe dëmtojnë trotuaret duke ngritur pllakat e shetitores. Më e përshtatshme do të ishte pisha detare, e cila i përgjigjet më mirë klimës dhe ambientit bregdetar,” – vijon ai.
Me një përvojë të gjatë dhe të pasur në fushën e gjelbërimit urban, Qirjaqi propozon një zëvendësim të menjëhershëm të pishave të thara me varietete të përshtatshme si pisha me kate, të kombinuara me oleandër dhe lule dekorative që i shtojnë hijeshi dhe jetë shetitores.
“Nuk ka më kohë për të pritur. Duhet të veprohet tani, nëse duam që Saranda të ruajë imazhin e një qyteti turistik me kurorë të gjelbër,” – apelon eksperti.
Zëri i tij është një thirrje për reflektim dhe veprim nga institucionet përgjegjëse, për të kthyer vëmendjen tek gjelbërimi i qëndrueshëm dhe urbanistika e menduar me vizion afatgjatë.
Komente