Autoriteti Kombëtar i Ushqimit (AKU) është përkohësisht jashtë funksionit, pasi të gjithë inspektorët do t’i nënshtrohen një procesi rivlerësimi, i cili ka për qëllim përmirësimin e transparencës dhe profesionalizmit në strukturat e kontrollit ushqimor. Vendimi është marrë nga Ministrja e Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural, Anila Denaj, e cila ka pezulluar çdo inspektim të paautorizuar ose të planifikuar jashtë protokolleve zyrtare të institucionit.
Ministrja Denaj theksoi se ky vendim është marrë për të garantuar një kontroll më të rreptë dhe më të qartë mbi aktivitetet e AKU-së. Për këtë arsye, është ngritur një Komision i Posaçëm Vlerësimi, i cili do të përbëhet nga 5 anëtarë, ku 3 prej tyre do të jenë përfaqësues të Universitetit Bujqësor të Tiranës (UBT).
Ky komision do të rivlerësojë të gjithë inspektorët në detyrë me teste me shkrim dhe analiza të etikës profesionale. Po ashtu, procesi i rivlerësimit do të përfshijë edhe aplikantët e rinj, të cilët do të kalojnë në një fazë të re reformimi që ka si synim sjelljen e një qasjeje dhe etike të re në sistemin e kontrollit ushqimor.
Ky zhvillim pason kritikat publike të kryeministrit Edi Rama, i cili gjatë një takimi me fermerët në Cërrik u shpreh se "AKU më shumë prish punë sesa rregullon", dhe kërkoi ristrukturimin e institucionit dhe një kontroll më të rreptë mbi burimet njerëzore të tij.
Përsa i përket procesit të rivlerësimit, Ministria e Bujqësisë ka konfirmuar se ai do të zgjasë disa javë, ndërkohë që aktiviteti i inspektorëve të AKU-së është pezulluar, me përjashtim të rasteve emergjente që miratohen me urdhër të posaçëm.
Efrosina Papa, gazetare me një karrierë 26-vjeçare në median e Vlorës, është një zë i dalluar i informimit lokal, që ka ndërtuar me përkushtim urën mes qytetarëve dhe ngjarjeve të ditës. Ajo është e njohur për pasqyrimin e drejtë dhe të ndershëm të realitetit, me vëmendje të veçantë ndaj historive njerëzore dhe figurave punëtore të komunitetit.
Komente