Në zonat bregdetare të Fierit, veçanërisht në hidrovoret e Semanit dhe Darëzezës, peshkimi është kthyer në një aktivitet gjithnjë e më të dashur për qytetarët. Për disa është një mënyrë për të kaluar kohën e lirë, për të tjerë një formë qetësie shpirtërore, ndërsa për shumë të tjerë, mbetet një përpjekje për të kapur peshk, qoftë edhe për konsum personal.
Në këto zona, numri i peshkatarëve amatorë është në rritje, duke përfshirë jo vetëm banorët e zonave përreth, por edhe qytetarë nga Fieri, Lushnja, Patosi, Berati, Lezha, Elbasani e Tirana, të cilët gjatë fundjavave i drejtohen këtyre vendeve për t’u afruar më shumë me natyrën përmes peshkimit me grep.
“Peshkimi dikur ishte nevojë, sot është hobi,” thonë peshkatarët më të vjetër të zonës, duke shtuar se peshkun që arrijnë të zënë, e konsumojnë me familjet e tyre, ndërsa kur kapin më shumë, e ndajnë me miq dhe shokë.
Vitet e fundit, ky pasion ka filluar të tërheqë edhe të rinjtë, të cilët e shohin peshkimin si një alternativë argëtuese larg teknologjisë dhe më pranë natyrës. Ata gërshetojnë relaksin me pritjen e qetë që kërkon ky sport i heshtur, por mjaft sfidues.
Sipas vetë peshkatarëve, qefulli është lloji më i përhapur i peshkut në këto zona, ndërsa më rrallë bien në grep levreku apo koçja. Një ndër pengesat më të mëdha që ata ndeshin është peshkimi me rrjeta, i cili shpesh ndikon negativisht në numrin e peshqve që zihen me grep.
Edhe pse jo gjithmonë dita mbyllet me peshk në dorë, pasioni nuk i lë të dorëzojnë. Ata ndryshojnë shpesh vendqëndrimet, kërkojnë pika të reja dhe pavarësisht se shpeshherë kthehen bosh, entuziazmi mbetet po ai: një përkushtim i pastër ndaj natyrës dhe sportit të peshkimit.
Armandi Xhelilaj është gazetar me përvojë të gjatë në median vizive dhe të shkruar, me fokus në raportimin nga terreni dhe trajtimin e problematikave sociale e komunitare. Me një formim akademik në Gazetari-Komunikim dhe eksperiencë në televizione ai ka dëshmuar profesionalizëm dhe angazhim të vazhdueshëm në fushën e informimit.
Komente