Energjia është ndërprerë dhe asgjë nuk funksionon. Si mund ta kalojmë ditën?
Kjo ishte pyetja me të cilën u përballën miliona njerëz të hënën në të gjithë Spanjën dhe Portugalinë gjatë ndërprerjes më të madhe të energjisë elektrike në historinë e tyre.
Ne pyetëm njerëzit që kaluan ditën pa energji se çfarë i ndihmoi për të vazhduar normalisht dhe çfarë mungesash ndjenë më shumë gjatë ndërprerjes.
________________________________________
1. Para në dorë
💶 Me pagesat përmes kartave dhe telefonave të bëra normë, shumë qytetarë në Spanjë e Portugali qëndruan në radhë pranë bankomateve – ata që ende funksiononin – pasi dyqanet ndaluan përdorimin e kartave.
“Në fillim paguam kafen me kartë, por më pas nuk kishim para cash, ndaj s’mundëm të blinim më asgjë”, tha Ed Rowe, 26 vjeç nga Madridi.
“Restorantet e hapura pranonin vetëm para në dorë”, shtoi Grace O’Leary, 32 vjeçe.
________________________________________
2. Radio dore me bateri
📻 Me mungesën e internetit, WhatsApp-it, telefonatave dhe televizorit, informimi ishte sfidë.
“Humbja totale e komunikimit ishte pjesa më shqetësuese. Spekulonim për shkaqet, bazuar vetëm në atë që dëgjonim nga fqinjët”, tha Daniel Clegg nga Barcelona.
Familja Buschschlüter përdori një radio të vjetër që punon me mbështjellje dore për të dëgjuar radiot lokale.
“Duhej ta mbështillje vazhdimisht. Ishte një situatë e çuditshme. Më kujtoi luftën kur prindërit e mi përpiqeshin të dëgjonin lajme”, tha Christine, 82 vjeçe.
________________________________________
3. Ushqime të konservuara
🥫 Me pajisjet elektrike jashtë funksionit, u bë e vështirë të gatuhej. Ushqimet e konservuara si sardele dhe ton ishin më të kërkuarat.
“Blemë shumë ushqime që nuk prishen, si ton në kanaçe. Tani kemi bollëk – por të paktën nuk do të na shkojnë dëm”, tha Jaime Giorgio.
“Na u desh të hanim djathë dhe proshutë. Do na kishte ndihmuar një sobë e vogël me gaz”, shtoi Lesley Elder nga Fortuna.
________________________________________
4. Qirinj dhe elektrik dore
🕯️ Ndërsa errësira ra, njerëzit përdorën qirinj për të ndriçuar shtëpitë.
“Nuk kishte asnjë dritë rruge ndezur. Të gjithë përdornin elektrik dore. Pamja nga dritarja ishte totalisht e zezë”, tha Richard nga Alcalá de Henares.
Sarah Baxter nga Barcelona përdori një sobë qirinjsh për të ngrohur ushqim:
“Gatuam oriz, fasule dhe patate të shpejta.”
________________________________________
5. Bateri portative (Powerbank)
🔋 Pa rrymë, mbajtja e telefonave të karikuar ishte thelbësore. Njerëzit u rreshtuan jashtë dyqaneve të teknologjisë për të blerë powerbank.
Sarah kishte një karikues diellor që i zgjati telefonin për 10 orë dhe ndihmoi edhe fqinjin e saj të moshuar.
“Kindle-i më mbaroi baterinë. Pa TV, pa lojëra në telefon. Do kisha dashur të kisha ndonjë libër”, tha Lesley.
________________________________________
Disa, si Ed Rowe, e shijuan shkëputjen nga teknologjia:
“Ishte një kujtesë që mund të jemi më të pavarur.”
Fqinja e tij, Hannah, 23 vjeçe:
“Kalova shumë bukur me shoqërinë. Nuk ka pse të jesh gjithmonë online.”
Sara Francisco, 24 vjeçe nga Leiria, Portugali:
“Besoj se kjo ngjarje na bëri më të ndërgjegjshëm për zakonet tona.”
Profesioniste në fushën e medias dhe edukimit, me përvojë të gjatë në gazetari, bibliotekonomi dhe zhvillimin e projekteve edukative me fokus në etikën dhe komunikimin.
Komente