Përshkallëzimi Iran-Izrael, dhjetëra viktima dhe sulme ndaj objekteve strategjike

Përshkallëzimi Iran-Izrael, dhjetëra viktima dhe sulme ndaj objekteve strategjike

Konflikti mes Iranit dhe Izraelit vijon të përshkallëzohet me ritme shqetësuese, teksa vala e fundit e sulmeve ka lënë pas dhjetëra viktima dhe dëme të mëdha infrastrukturore në të dy vendet.

Të paktën tetë persona kanë humbur jetën dhe rreth 200 janë plagosur në Izrael pas sulmeve ajrore të nisura gjatë natës nga Teherani. Mediat izraelite raportojnë se një raketë goditi një ndërtesë banimi në qytetin Bat Yam, duke shkaktuar viktima, mes tyre dy fëmijë. Sulme të tjera janë raportuar edhe në Tel Aviv dhe Jerusalem.

Nga ana tjetër, Izraeli ka reaguar me një seri sulmesh ajrore ndaj objektivave strategjike në Teheran, përfshirë Ministrinë iraniane të Mbrojtjes dhe objekte që lidhen me programin bërthamor të Iranit. Forcat e Mbrojtjes izraelite (IDF) deklaruan se kanë goditur vendndodhje ku sipas tyre fshiheshin arkivat bërthamore të regjimit iranian.

Përplasja nisi të premten, kur Izraeli sulmoi objektet bërthamore dhe figurat kyçe të ushtrisë iraniane. Në reagim, Irani lëshoi qindra raketa dhe dronë drejt Izraelit, duke e konsideruar ndërhyrjen një “akt lufte”.

Sipas autoriteteve iraniane, dhjetëra persona kanë humbur jetën dhe qindra janë plagosur edhe në territorin iranian, ndërsa objektiva të shumtë janë shënjestruar, përfshirë selinë e Organizatës së Inovacionit dhe Kërkimit Mbrojtës në Teheran.

Kriza e re në Lindjen e Mesme po mban nën tension diplomacinë ndërkombëtare, ndërsa rreziku i një konflikti të gjerë rajonal është më i madh se kurrë.

Lajmi nga: Elton Nika
Elton Nika

Elton Nika

Elton Nika është gazetar i njohur nga Vlora, me një karrierë të gjatë në raportimin e lajmeve lokale dhe kombëtare. Aktualisht, ai kontribuon në Blu TV me kronika nga terreni dhe emisione informuese.

Komente

-