Reforma e paralajmëruar nga kryeministri Edi Rama për ristrukturimin e stafeve në pushtetin vendor ka sjellë tensione në disa bashki të vendit, por përplasja më e drejtpërdrejtë është shënuar në Bashkinë e Konispolit.
Ndryshe nga Bashkia e Sarandës, ku të gjithë drejtorët kanë dorëzuar dorëheqjet në zbatim të urdhrit të qeverisë dhe udhëzimeve të dhëna nga kryebashkiaku Oltion Çaçi, situata në Konispol është më e ndërlikuar. Kryebashkiaku Ergest Dule ka refuzuar të shkarkojë drejtorët, duke i mbrojtur publikisht si “të rinj të aftë dhe profesionistë” që kanë dhënë rezultate konkrete në administratë.
Ky qëndrim ka sjellë një përplasje të drejtpërdrejtë me kryeministrin Rama, i cili – sipas burimeve nga takimet e brendshme – i është drejtuar Dules me një ultimatum të qartë:
“Jepe ti dorëheqjen, nëse nuk i shkarkon ata.”
Deri tani, në Bashkinë e Konispolit kanë dhënë dorëheqjen vetëm dy nënkryetarë dhe disa administratorë të njësive, ndërsa drejtuesit e drejtorive vijojnë të jenë në detyrë. Situata në terren është e tensionuar, me një klimë të pasigurt dhe pritshmëri të larta nga qeveria për një riformatim të thellë të administratës vendore.
Kjo është një ndër rastet ku reforma për performancën në pushtetin lokal përballet me rezistencë nga vetë drejtuesit vendorë, duke vënë në provë ekuilibrat institucionalë dhe qëndrimet politike përballë stafit teknik. BluTV do të vijojë ndjekjen e situatës në zhvillim.
Adriatik Golemaj, Drejtor Ekzekutiv i televizionit, ka 28 vite përvojë në media lokale dhe ndërkombëtare. Ka punuar si gazetar, redaktor dhe prezantues, si dhe si ndërmjetës për organizata mediatike të huaja. Ka drejtuar projekte komunikimi me publikun dhe median për kompani ndërkombëtare. Në rolin e tij aktual, ai garanton funksionimin e televizionit dhe përfaqëson institucionin në bashkëpunime strategjike.
Komente