Një tjetër aks i rëndësishëm rrugor në Shqipërinë lindore është përfunduar. Segmenti Zgosht – Ura e Çerenecit, me një gjatësi prej rreth 47 kilometrash, tashmë është i përfunduar dhe lidh zonat malore të Librazhdit me qarkun e Dibrës.
Lajmi u bë i ditur nga Kryeministri Edi Rama, i cili publikoi në rrjetet sociale pamje nga rruga e re, e cila pritet të ketë një ndikim të drejtpërdrejtë në zhvillimin ekonomik, bujqësor dhe turistik të zonës.
“Segmenti i përfunduar Zgosht – Ura e Çerenecit është një tjetër investim i rëndësishëm në infrastrukturën rrugore që lehtëson jetën e banorëve dhe i jep frymë zhvillimit lokal,” – shkruan Rama, duke theksuar rëndësinë strategjike të kësaj lidhjeje mes dy qarqeve.
Rruga e re do të përmirësojë ndjeshëm qarkullimin e komuniteteve vendase, sidomos për fermerët dhe ndërmarrjet agroturistike, dhe do të rrisë qasjen e vizitorëve në destinacione natyrore dhe kulturore si Parku Kombëtar Shebenik-Jabllanicë në Librazhd, apo zonat historike dhe alpine në Dibër.
Ky aks pritet të marrë edhe më shumë rëndësi me hapjen e planifikuar të pikës së re kufitare në Urën e Bushtricës, një projekt në bashkëpunim me Maqedoninë e Veriut, si pjesë e Korridorit 8. Kjo pikë pritet të përmirësojë më tej lëvizjen ndërkufitare, duke integruar këtë segment në rrjetin më të gjerë të qarkullimit në rajon.
Komente