Prokuroria e Tiranës ka përfunduar hetimet dhe ka dërguar në gjyq dosjen kundër ish-Presidentit të Urdhrit të Stomatologut, Nikoll Deda, dhe zv/Presidentes së këtij institucioni, për shpërdorim detyre dhe abuzim me fondet e Urdhrit të Stomatologëve.
Në përfundim të hetimeve, Prokuroria ka arritur në konkluzionin se Nikoll Deda, gjatë periudhës që ka mbajtur postin e Presidentit të Urdhrit të Stomatologëve, ka abuzuar me pozitat e tij duke përdorur fondet e institucioneve për interesa personale. Hetimet kanë zbuluar se Deda ka tjetërsuar fonde të Urdhrit të Stomatologëve, duke blerë bileta udhëtimi për vete dhe për familjarët e tij, si dhe duke bërë pagesa fiktive për të afërmit dhe persona të tjerë të lidhur me të. Për më tepër, ai ka punësuar anëtarë të familjes në institucionin që drejtonte, me qëllim që të manipulonte vendimmarrjet e Këshillit Kombëtar të Urdhrit, duke shkelur rregullat dhe procedurat e brendshme të organizatës.
Nga ana tjetër, Zv.Presidentja e Urdhrit të Stomatologëve akuzohet për shkelje të rënda ligjore. Ajo është akuzuar për marrjen e vendimeve financiare për buxhetin e vitit 2024 të Urdhrit të Stomatologut, duke tejkaluar kompetencat e saj dhe pa asnjë atribut ligjor për të ndërhyrë në këtë fushë.
Ky rast ka ngritur shqetësime për transparencën dhe menaxhimin e fondeve në institucione të tilla profesionale, duke i dhënë një mesazh të fortë për zbatimin e ligjit dhe përgjegjësitë që kanë personat në pozita drejtuese. Tashmë, dosja do të kalojë në gjykatë, ku do të shqyrtohen akuzat për këta dy ish-zyrtarë të Urdhrit të Stomatologëve.
Komente