Një vendim i rëndësishëm për shëndetin publik është miratuar së fundmi nga Këshilli i Ministrave, me propozim të Ministrisë së Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale: për herë të parë, trajtimi i stomës përfshihet në skemën e rimbursimeve. Kjo nismë u konkretizua në qershor të këtij viti dhe parashikon që Fondi i Sigurimit të Detyrueshëm të Kujdesit Shëndetësor të mbulojë kostot për paketat e trajtimit të stomës.
Ministrja e Shëndetësisë, Albana Koçiu, ndau në rrjetet sociale mesazhet e qytetarëve që tashmë përfitojnë nga kjo mbështetje. Ajo e cilësoi vendimin si një lehtësim të madh për mbi 800 qytetarë që përballen çdo ditë me sfida shëndetësore.
“Me zërin e pacientëve që sot marrin një mbështetje që u lehtëson përditshmërinë. Për herë të parë, trajtimi i stomës përfshihet në skemën e rimbursimeve – një hap i rëndësishëm drejt një sistemi më të drejtë dhe më të aksesueshëm”, shkroi Koçiu.
Sipas ministres, për këtë skemë janë planifikuar 100 milionë lekë për vitin 2025, duke garantuar vijimësinë e mbështetjes për ata që kanë më shumë nevojë.
Rastet konkrete të përfituesve tregojnë ndikimin e drejtpërdrejtë që ka kjo politikë shëndetësore. “Deri tani stomat i kemi blerë vetë. Mjekja më telefonoi dhe më tha që Ministria e Shëndetësisë ka bërë të mundur që im shoq t’i përfitojë falas. U paraqita në qendrën shëndetësore për të nisur procedurat,” tregoi bashkëshortja e një pacienti.
Një tjetër qytetar theksoi: “I merrja me pagesë, sot falë vendimit të ri, i marr me rimbursim.”
Skema e re përbën një hap domethënës drejt një sistemi më gjithëpërfshirës shëndetësor dhe i jep zë nevojave reale të qytetarëve që, për vite me radhë, e kanë përballuar këtë sfidë pa ndihmën e shtetit.
Elton Nika është gazetar i njohur nga Vlora, me një karrierë të gjatë në raportimin e lajmeve lokale dhe kombëtare. Aktualisht, ai kontribuon në Blu TV me kronika nga terreni dhe emisione informuese.
Komente