Në shumicën e renditjeve europiane, Shqipëria zakonisht pozicionohet në fund. Por ka një tregues ku ajo del në krye: përdorimi i makinave me motor të fuqishëm.
Në Shqipëri, 27.8% e totalit të automjeteve me naftë janë mbi 2,000 cm³, për vitin 2024. Kjo është përqindja më e lartë në Europë në raport me numrin total të automjeteve të pasagjerëve.
Për krahasim, Letonia ka 25.7% dhe Lituania 20.9%, të nxitura nga distancat e mëdha dhe kushtet klimatike. Më pas vijnë Estonia (18.6%) dhe Kosova (16.6%). Ndërkohë, Serbia ka vetëm 3.8% dhe Turqia 1.3%.
Në Shqipëri, nga 567 mijë automjete me naftë, rreth 215 mijë janë mbi 2,000 cm³. Rreth 40% e automjeteve janë nga 1,400 deri në 1,999 cm³ dhe vetëm 5.5% nën 1,399 cm³.
Një tjetër faktor është përqindja e lartë e mjeteve me naftë në Shqipëri – 74% e totalit – ndërkohë që në vendet europiane mbizotërojnë makinat me benzinë dhe ato elektrike. Në Holandë, p.sh., vetëm 0.6% e automjeteve kanë motorë mbi 2,000 cm³ dhe vetëm 7.4% janë me naftë.
Pse shqiptarët zgjedhin makina mbi 2,000 kubikë?
Së pari, tregu është i mbështetur pothuajse tërësisht në makina të përdorura, kryesisht nga Gjermania, Zvicra dhe Italia, ku makinat me motorë të mëdhenj janë të shtrenjta për t’u mbajtur, por të përballueshme për import në Shqipëri.
Së dyti, makina mbetet një simbol statusi. Në një shoqëri ku automjeti nuk është vetëm mjet transporti, por edhe shenjë e pozitës shoqërore, motorët e fuqishëm zgjedhen shpesh për të “dukur më mirë”.
Marka luksoze si Mercedes-Benz, BMW dhe Audi janë të pranishme në Shqipëri më shumë sesa në shtete me të ardhura më të larta për frymë. Madje, edhe makina të vjetra para vitit 2010 me motorë të mëdhenj mbeten të kërkuara për shkak të çmimit të ulët dhe imazhit që përçojnë.
Edhe kushtet gjeografike luajnë rol. Terreni i thyer, rrugët e amortizuara dhe dimrat e vështirë në zona malore nxisin blerjen e mjeteve me motorë të fuqishëm, që përshtaten më mirë me këto kushte.
Megjithatë, situata po ndryshon. Rritja e çmimit të karburantit, presioni për uljen e ndotjes dhe prania në rritje e makinave hibride dhe elektrike po ndikojnë në zgjedhjet e konsumatorëve.
Politikat tatimore që penalizojnë mjetet me motorë të mëdhenj dhe taksat mjedisore po japin efekt, veçanërisht në qytetet e mëdha, ku brezat e rinj të blerësve po orientojnë preferencat drejt mjeteve më efikase dhe më pak ndotëse.
Adriatik Golemaj, Drejtor Ekzekutiv i televizionit, ka 28 vite përvojë në media lokale dhe ndërkombëtare. Ka punuar si gazetar, redaktor dhe prezantues, si dhe si ndërmjetës për organizata mediatike të huaja. Ka drejtuar projekte komunikimi me publikun dhe median për kompani ndërkombëtare. Në rolin e tij aktual, ai garanton funksionimin e televizionit dhe përfaqëson institucionin në bashkëpunime strategjike.
Komente