Partia Demokratike, dega Vlorë, ka reaguar në lidhje me krizën e ujit të pijshëm që po përjeton qyteti, duke akuzuar bashkinë dhe qeverinë qendrore për keqmenaxhim. Në një deklaratë publike, kryetari i PD Vlorë, Hysni Sharra, e cilësoi situatën si pasojë të vendimeve të gabuara dhe mungesës së përgjegjshmërisë nga institucionet.
“Ky është rezultat i një keqmenaxhimi, si nga bashkia e Vlorës, ashtu edhe nga qeveria qendrore. Prej dy vitesh, të gjitha shoqëritë e ujësjellës-kanalizimeve janë nën administrimin e Ministrisë së Infrastrukturës dhe Energjisë, pas vendimit të Këshillit të Ministrave që i kaloi 51% të aksioneve nën këtë dikaster,” deklaroi Sharra, duke kujtuar se PD e ka kundërshtuar këtë vendim në Këshillin Bashkiak.
Sharra kritikoi gjithashtu debatin e fundit publik të kryeministrit Edi Rama, duke e cilësuar si “një show të radhës”, ndërkohë që qytetarët e Vlorës përballen çdo ditë me mungesën e furnizimit bazik me ujë të pijshëm.
Nga ana tjetër, Partia Demokratike Vlorë ka kallëzuar në prokurori Bashkinë e Vlorës për zjarrin e rënë në fushën e mbetjeve në lagjen “24 Maji”, duke e cilësuar zjarrvënien si të qëllimshme dhe të rrezikshme për shëndetin publik.
PD kërkon përgjegjësi institucionale dhe veprime konkrete, për të garantuar shërbimet bazë për qytetarët dhe për të ndalur përkeqësimin e mëtejshëm të situatës mjedisore dhe infrastrukturore në qytetin e Vlorës.
Komente