Parku Arkeologjik i Bylisit, një nga pasuritë më të rëndësishme të trashëgimisë kulturore shqiptare dhe një ndër qytetet më të ruajtura të Ilirisë, ka hyrë në një fazë të re zhvillimi falë partneritetit ndërmjet Bashkimit Evropian dhe Agjencisë Italiane për Bashkëpunim dhe Zhvillim (AICS). Kjo iniciativë është pjesë e fushatës "Unë Jam Bylis", një projekt që synon të rrisë ndërgjegjësimin dhe të nxjerrë në pah vlerat e këtij qyteti të lashtë përmes shkencës dhe bashkëpunimit.
Në një njoftim të delegacionit të Bashkimit Evropian në Shqipëri, thuhet se Bylisi është po rikthehet në vëmendje dhe po kalon në një periudhë të re të ruajtjes dhe zbulimit, duke pasur parasysh rëndësinë e tij të jashtëzakonshme për identitetin shqiptar.
“Falë partneritetit të mbështetur nga BE midis AICS dhe arkeologëve shqiptarë, Bylisi po hyn në një epokë të re ruajtjeje dhe zbulimi”, thuhet në njoftim. Ky bashkëpunim synon të sigurojë ruajtjen e trashëgimisë kulturore dhe promovimin e Bylisit si një destinacion turistik dhe edukativ, duke e bërë atë një qendër të rëndësishme për zhvillimin e qëndrueshëm të rajonit.
Përveç restaurimeve dhe zhvillimit të infrastrukturës, BE ka shpallur një mundësi financimi për ata që kanë ide lidhur me trashëgiminë kulturore dhe zhvillimin ekonomik të kësaj zone. Ata që janë të interesuar mund të aplikojnë për grante që variojnë nga 30,000 deri në 50,000 euro deri në 23 gusht 2025.
Bylisi, një thesar arkeologjik
Bylisi është ndërtuar mbi një kodër që mbikëqyr luginën e Vjosës dhe ka mbetur një nga qytetet më të mëdha dhe të ruajtura të Ilirisë. Me mure monumentale të shekullit IV para Krishtit, një teatër mbresëlënës, mozaikë të jashtëzakonshëm dhe pesë bazilika paleokristiane, ky qytet është një dëshmi e pasur e historisë dhe kulturës së rajonit.
Plani i Menaxhimit 2024–2029
Në kuadër të programit IPA “BE për zhvillimin ekonomik – drejtuar nga turizmi”, që është i zbatuar nga AICS, Bylisi dhe qyteti i Klosit do të transformohen në qendra të zhvillimit të qëndrueshëm, edukimit dhe bashkëpunimit. Ky plan do të përfshijë restaurimin e strukturave dhe mbrojtjen e tyre në mënyrë të qëndrueshme, përmirësimin e infrastrukturës dhe shërbimeve për vizitorët, si dhe mbështetje për komunitetin në fushën e turizmit dhe artizanatit.
Një tjetër komponent i rëndësishëm është zhvillimi i programeve edukative për brezat e rinj, me qëllimin e edukimit të të rinjve mbi rëndësinë e ruajtjes së trashëgimisë kulturore dhe të promovimit të saj si një aset për zhvillimin e qëndrueshëm të Shqipërisë.
Kjo nismë është një hap i rëndësishëm në ruajtjen e trashëgimisë kulturore shqiptare dhe në zhvillimin e turizmit të qëndrueshëm në Shqipëri, duke sjellë mundësi për rritjen e ndërgjegjësimit dhe angazhimit të qytetarëve dhe vizitorëve për mbrojtjen e pasurive natyrore dhe kulturore të vendit.
Vjola Murati është spikere dhe gazetare në Blu Televizion, me një formim akademik në Shkenca Sociale dhe Komunikim nga Universiteti i Tiranës. Ajo sjell në ekran profesionalizëm, ndjeshmëri dhe përkushtim ndaj realitetit të komunitetit vendas.
Komente