Parashikimi 5-vjeçar - Nxehtësi rekord dhe mot ekstrem kërcënojnë planetin

Parashikimi 5-vjeçar - Nxehtësi rekord dhe mot ekstrem kërcënojnë planetin

Temperaturat globale pritet të arrijnë nivele rekord ose pranë rekordit gjatë pesë viteve të ardhshme, duke shtuar rrezikun e motit ekstrem dhe valëve të nxehtësisë me pasoja fatale. Paralajmërimi vjen nga një raport i përbashkët i Organizatës Botërore Meteorologjike (WMO) dhe Zyrës Meteorologjike të Mbretërisë së Bashkuar (UK Met Office).

Sipas raportit, ka një probabilitet prej 70% që ngrohja globale të tejkalojë përkohësisht kufirin prej 1.5 gradë Celsius gjatë kësaj periudhe – një prag që, nëse kapërcehet, rrit ndjeshëm rreziqet për ndikime të forta në klimë, përfshirë shkrirjen e akullnajave dhe rritjen e nivelit të detit.

Shkencëtarët paralajmërojnë se sistemi klimatik mund të arrijë “pikën e kthesës” – një moment kritik pas të cilit pasojat bëhen të pakthyeshme. Për herë të parë, raporti ngre edhe mundësinë, ndonëse të vogël (1%), që një nga vitet e ardhshme të ketë temperaturë mesatare globale 2 gradë më të lartë krahasuar me epokën paraindustriale.

Gjithashtu, ekziston një gjasë 80% që të paktën një vit brenda këtij 5-vjeçari të jetë më i ngrohti i regjistruar ndonjëherë.

“Fatkeqësisht, raporti nuk jep asnjë shenjë lehtësimi për vitet në vijim, dhe kjo nënkupton ndikime gjithnjë e më të mëdha negative për ekonomitë tona, jetën e përditshme, ekosistemet dhe planetin”, u shpreh zëvendëssekretarja e përgjithshme e WMO, Ko Barrett.

Në raport theksohet gjithashtu se ngrohja në Arktik po përparon me një ritëm mbi 3.5 herë më të shpejtë se mesatarja globale gjatë dimrit polar, duke e kthyer rajonin në një ndër zonat më të prekura nga ndryshimet klimatike.

Ngrohja e planetit drejt kufirit 1.5 gradë e afron botën me tejkalimin e objektivave të Marrëveshjes së Parisit, të cilën shumë shtete, sidomos ato ishullore të ulëta, e konsiderojnë çështje jetike për mbijetesën.

Lajmi nga: Pamela Shabani
Pamela Shabani

Pamela Shabani

Pamela Shabani është pjesë e redaksisë së Blu TV si gazetare e terrenit, duke sjellë në ekran realitetin përmes një vështrimi të ndjeshëm dhe analitik. E diplomuar në Psikologji, ajo kombinon aftësinë për të kuptuar dinamikat sociale me përkushtimin për të raportuar me objektivitet dhe përgjegjësi. Me interes të veçantë për çështjet sociale dhe historitë njerëzore, Pamela synon të japë zë atyre që shpesh mbeten në heshtje.

Komente

-