Sasia e parave që qarkullon jashtë sistemit bankar në vend ka arritur në një nivel rekord prej gati 442 miliardë lekësh (rreth 4.5 miliardë euro), sipas të dhënave më të fundit. Ky është treguesi më i lartë i regjistruar ndonjëherë, duke u rritur me 46.5 miliardë lekë krahasuar me qershorin e vitit të kaluar.
Ekspertët paralajmërojnë se ky volum i madh “cash”-i jashtë bankave përbën rrezik serioz për ekonominë informale dhe pastrimin e parave.
“Paratë që qarkullojnë jashtë sistemit bankar janë pjesë e ekonomisë informale dhe, bashkë me të, aty ka edhe para nga aktivitete kriminale që zhvillohen brenda apo jashtë vendit tonë,” – u shpreh eksperti i ekonomisë Zef Preçi.
Aktualisht, paraja jashtë bankave përbën mbi 24% të totalit të qarkullimit monetar në vend, i cili përllogaritet në 1.83 trilionë lekë. Për krahasim, në vendet e Bashkimit Europian ky tregues nuk e kalon 9%.
Sipas Preçit, situata është pasojë e paaftësisë së administratës për të kontrolluar qarkullimin, si dhe e tolerimit të hyrjes së fondeve nga aktivitete të paligjshme. Ai shtoi se, edhe pse Amnistia Fiskale nuk u miratua si ligj, “në praktikë ajo ka ndodhur”.
Ekonomistët theksojnë se ky fluks i madh “cash”-i ka ndikuar edhe në zhvlerësimin e euros dhe valutave të tjera, ndërsa përdorimi i pagesave në dorë i hap rrugë informalitetit dhe e bën më të vështirë luftën kundër pastrimit të parave.
Për të frenuar këtë fenomen, Ministria e Financave dhe Drejtoria e Përgjithshme e Tatimeve kanë nisur punën për të kufizuar pagesat me para në dorë, si një masë për të ulur qarkullimin e parasë jashtë bankave.
Komente