Në prag të zgjedhjeve, qeveria i propozoi biznesit “Paqen Fiskale” – një paketë që përfshin falje masive borxhesh dhe rishikim të detyrimeve tatimore. Bizneset shqiptare i detyrohen shtetit 1.6 miliardë euro. Për ekspertët, kjo është një tjetër qokë elektorale që dëmton drejtësinë fiskale dhe inkurajon informalitetin.
Në një takim me biznese nga Elbasani, në kulmin e fushatës zgjedhore, kryeministri Edi Rama prezantoi papritur një nismë të re: “Paqja Fiskale”, një paketë lehtësuese që përfshin falje masive borxhesh dhe rishikim të detyrimeve tatimore.
“Një plan paqeje fiskale, i frymëzuar nga parimet e Romës së Lashtë”, e cilësoi Rama këtë lëvizje pak javë para zgjedhjeve. “Kemi menduar një plan (…) të përdorur herë pas here në forma të ndryshme, një plan paqeje fiskale,” deklaroi më tej ai.
Paketa nuk është pjesë e programit politik “Shqipëria 2030”, por qeveria argumenton se ajo do të sjellë më pak stres për bizneset, më pak kontrolle dhe më shumë qartësi.
Tre shtyllat kryesore të Paqes Fiskale:
Tatim i dakordësuar mbi fitimin
Rishikim i pasqyrave financiare
Falje e detyrimeve dhe kamatëvonesave
Nisma parashikon fshirjen e plotë të borxheve tatimore më të vjetra se 10 vjet, nëse janë ende të pashlyera. Për detyrimet nga 5-10 vjet, parashikohet fshirje e 50% të borxhit, nëse biznesi e paguan menjëherë. Ndërsa për bizneset që nuk kanë mundësi për shlyerje të menjëhershme, do të ketë një marrëveshje 12-mujore dhe falja do të jetë në masën 25%. Nuk përfshihen këtu detyrimet për sigurimet shoqërore.
Po ashtu, paketa propozon edhe rishikimin e deklaratave të mëparshme të tatim-fitimit.
Bizneseve u jepet e drejta që të rishikojnë deklaratat tatimore për 5 vitet e fundit pa gjoba e kamatëvonesa (legjislacioni aktual e lejon për 3 vjet), por duke paguar tatim fitimi prej 5% për çdo diferencë fitimi që krijohet nga rishikimi.
Sa është borxhi që bizneset kanë ndaj shtetit?
Bizneset shqiptare i detyrohen shtetit 162.5 miliardë lekë, ose 1.6 miliardë euro, borxhe të papaguara në tatime dhe dogana.
Tatimi mbi vlerën e shtuar (TVSH) dhe tatimi mbi fitimin janë taksat kryesore që bizneset nuk kanë paguar ndër vite. Të dhënat zyrtare tregojnë se 84.7% e borxhit është me vjetërsi mbi 2 vjet, ndërsa detyrimet e pashlyera prej më shumë se 5 vjetësh zënë 64.4% të totalit.
84.7% e këtij borxhi është më i vjetër se 2 vjet
64.4% i përket periudhës mbi 5 vjet
Në dekadën e fundit, stoku i borxhit të biznesit është rritur vit pas viti – përjashtim bën vetëm viti 2017.
Ish-drejtori i tatimeve, Artur Papajani, thotë se fshirja e borxheve nuk është privilegj, por ndëshkim:
“Fshirja masive e borxheve tatimore nuk është privilegj për borxhlinjtë! Ajo është ndëshkim dhe dekurajim për mijëra tatimpagues që gjithmonë kanë qenë korrektë në përmbushjen tatimore,” argumenton Papajani për Faktoje.al.
Ndërsa audituesi ligjor Julian Saraçi e cilëson nismën si kapitullimin e shtetit përballë informalitetit:
“Paqja fiskale është një akt i përsëritur dorëzimi ndaj informalitetit që është toleruar për vite. Kjo nismë nuk është marrëveshje, është kapitullim.”
Nëse bizneset kanë borxhe të pashlyera për më shumë se 10 vjet, kjo nënkupton se administrata ka dështuar t’i mbledhë këto borxhe në kohë – thekson Saraçi.
“Pra, nuk kemi vetëm një falje, por edhe një shpëlarje faji institucional. Ndaj, mendoj që më shumë se paqe, duhet të kryhet një hetim i thelluar: pse është krijuar dhe parashkruar ky borxh dhe pse nuk janë marrë masat për mbledhjen e tij.”
Borxhi i bizneseve ndaj shtetit do të ishte edhe më i madh, por qeveritë herë pas here kanë miratuar amnisti fiskale, duke falur miliarda lekë borxhe të sipërmarrësve në vend.
Qokat fiskale në prag zgjedhjesh
Ky nuk është rasti i parë që falen borxhe në periudha parazgjedhore. Që nga viti 2009 janë ndërmarrë të paktën gjashtë masa me karakter amnistues, të cilat përkojnë me zgjedhje vendore apo parlamentare.
Burimi: Qendra ALTAX
Në 2009, teksa shqiptarët do t’i drejtoheshin kutive të votimit për zgjedhjet e përgjithshme parlamentare, qeveria e asaj kohe propozoi legalizimin e kapitalit të padeklaruar. Në vitet 2011–2014 u falën gjoba dhe detyrime të vjetra, për t’u pasuar më vonë, në 2019, me faljen e borxheve të energjisë. Po ashtu, në vitet 2023–2024, qeveria ringjalli projektligjin për amnistinë fiskale, pavarësisht se kishte kundër të gjitha institucionet ndërkombëtare si FMN, BB dhe Bashkimin Evropian.
“Ky model nuk është rastësi, por një strategji e përsëritur elektorale, ku shteti përdor politikën fiskale si mjet për të blerë tolerancën në vend që të ndërtojë disiplinën fiskale,” – ALTAX
Ekspertët e Qendrës ALTAX argumentojnë se ky model duhet të ndalet urgjentisht, pasi pasojat do të jenë të rënda:
“Do të rritet informaliteti sepse tatimpaguesit do të priren të mos paguajnë, me shpresë për një ‘falje tjetër’. Po ashtu, do të dëmtohet barazia fiskale, sepse shteti i të ‘falurve’ nuk mund të jetë kurrë i drejtë. Si dhe do të forcohet klientelizmi, sepse falja fiskale po ndodh gjithnjë para kutive të votimit.” – ALTAX
A është kjo paqe, apo thjesht një qokë parazgjedhore që nxit padrejtësinë dhe dëmton sipërmarrësit korrektë?
Kjo është pyetja që ngrihet sot, teksa ligji zbutet në kohë fushate.
Vjola Murati është spikere dhe gazetare në Blu Televizion, me një formim akademik në Shkenca Sociale dhe Komunikim nga Universiteti i Tiranës. Ajo sjell në ekran profesionalizëm, ndjeshmëri dhe përkushtim ndaj realitetit të komunitetit vendas.
Komente