Shqipëria po përballet me një krizë të thellë të fuqisë punëtore, që po vendos në vështirësi serioze si sektorin privat, ashtu edhe administratën publike. Pavarësisht të dhënave zyrtare që flasin për një papunësi në rënie – vetëm 8.8% në fund të vitit 2024 – tregu i punës tregon një realitet tjetër.
Por a është kjo shifër pasqyrim i situatës reale? Ekspertët thonë jo, dhe kjo për tre arsye kryesore që nuk përfshihen në metodologjinë e raportimit të INSTAT:
Emigracioni masiv – Ul numrin e të papunëve në vend, duke krijuar iluzionin e një papunësie të ulët.
Papunësia e padukshme – Shumë të papunë nuk regjistrohen në zyrat e punës, ndaj nuk përfshihen në statistika.
Vetëpunësimi “në letër” në fshat – Çdo person me një ngastër toke konsiderohet i vetëpunësuar, edhe nëse toka nuk punon ose nuk sjell të ardhura.
Ndërkohë, papunësia prek më rëndë gratë dhe të rinjtë. Vetëm 69.1% e grave janë të punësuara, krahasuar me 82.2% të meshkujve. Por gratë mbajnë gjithashtu barrën e madhe të punës së papaguar në familje, një kontribut që nuk matet në statistika.
Shkalla e papunësisë tek të rinjtë 15–29 vjeç është 19.1%, duke dëshmuar vështirësitë e vazhdueshme të këtij grupi për të gjetur një vend pune të qëndrueshëm.
Në sektorin privat, mungesa e punonjësve është bërë alarmante. Turizmi, shërbimet, ndërtimi, bujqësia dhe prodhimi janë ndër fushat që ndiejnë më fort mungesën e fuqisë punëtore. Edhe pse bizneset ofrojnë paga më të larta, tregu përballet me një tjetër fenomen: papunësinë inaktive – persona që nuk kërkojnë punë, ndonëse mund të punojnë.
Shkurt, ndërsa numrat duken optimistë, tregu i punës në Shqipëri vuan nga plagë strukturore dhe sociale që nuk zgjidhen me statistika.
Vjola Murati është spikere dhe gazetare në Blu Televizion, me një formim akademik në Shkenca Sociale dhe Komunikim nga Universiteti i Tiranës. Ajo sjell në ekran profesionalizëm, ndjeshmëri dhe përkushtim ndaj realitetit të komunitetit vendas.
Komente