UASHINGTON – Pavarësisht sulmeve të fundit në objektet kryesore bërthamore iraniane, Shtetet e Bashkuara të Amerikës mbeten të hapura për bisedime me Teheranin. Këtë e konfirmoi sot Sekretari amerikan i Mbrojtjes, Pete Hegseth, gjatë një deklarate për mediat.
I pyetur nga gazetarët mbi rrugët e mundshme diplomatike pas përshkallëzimit të situatës, Hegseth theksoi se Uashingtoni ka dërguar mesazhe publike dhe private përmes kanaleve të ndryshme, duke i ofruar Iranit një mundësi për rikthim në tryezën e negociatave.
SHBA dhe Irani kanë qenë të angazhuar në bisedime lidhur me programin bërthamor iranian, por këto negociata u ndërprenë pas nisjes së sulmeve ajrore të Izraelit ndaj Iranit më 13 qershor. Sulmet u motivuan nga shqetësimi i shtuar ndërkombëtar për mundësinë që Irani të jetë afër ndërtimit të një arme bërthamore – një pretendim që Teherani e ka mohuar vazhdimisht, duke këmbëngulur se programi i tij bërthamor ka vetëm qëllime civile.
Përshkallëzimi i konfliktit solli hakmarrje nga ana e Iranit dhe pezullimin e menjëhershëm të dialogut me SHBA-të. Megjithatë, mesazhet e fundit nga Uashingtoni sinjalizojnë një dëshirë për të shmangur një konfrontim të drejtpërdrejtë ushtarak dhe për të gjetur një zgjidhje përmes diplomacisë.
Situata në Lindjen e Mesme mbetet e tensionuar, ndërsa sytë e komunitetit ndërkombëtar janë të përqendruar te zhvillimet e ardhshme mes dy vendeve.
Komente