Pamela Anderson dhe Liam Neeson kanë surprizuar publikun me lidhjen e tyre të re, duke dëshmuar se dashuria nuk njeh moshë dhe se ndjenjat e vërteta mund të rilindin edhe pas shumë përvojash jetësore.
Aktori i njohur Liam Neeson, 73 vjeç, kishte pranuar publikisht se kishte hequr dorë nga takimet romantike, përpara se të niste lidhjen me Pamela Anderson. Në tetor të vitit të kaluar, ai deklaroi: “Jo, që t’i bie shkurt. Kam dalë nga ajo fazë”, duke iu referuar marrëdhënieve me karakter dashurie.
Megjithatë, gjithçka ndryshoi kur në jetën e tij hyri Pamela Anderson, 58 vjeç. Tashmë, sipas burimeve pranë çiftit, aktorët janë në fazat e para të një romance që po zhvillohet natyrshëm dhe me shumë pozitivitet. “Po e shijojnë shoqërinë e njëri-tjetrit,” tha një burim anonim, duke shtuar se lidhja e tyre është “e sinqertë dhe me shumë tërheqje reciproke”.
Gjatë promovimit global të filmit të tyre të fundit, dyshja është parë shpesh në skena të ngrohta e lozonjare. Gjatë një paraqitjeje në emisionin "Today", më 29 korrik, ata u kapën në një moment romantik teksa kamera i zbuloi të puthur. Edhe në premierën në Londër, Pamela i dhuroi Liam-it një puthje në faqe, duke dhënë sinjale të qarta për afrimitetin mes tyre.
Liam Neeson, i cili ka qenë më parë i martuar me aktoren Natasha Richardson deri në vitin 2009, foli me shumë vlerësim për partneren e tij të re: “Jam marrëzisht i dashuruar me Pamela-n. Nuk ka ego, është shumë profesioniste dhe e këndshme në çdo bashkëpunim.”
Nga ana tjetër, Pamela e cilësoi Liam-in si “një zotëri i vërtetë”, dhe shtoi: “Ai të nxjerr versionin më të mirë të vetes... me respekt, mirësi dhe përvoja. Ishte një nder i vërtetë të punoja me të.”
Ky kapitull i ri në jetën e dy yjeve të ekranit është një dëshmi që dashuria mund të vijë në forma të papritura dhe të sjellë dritë edhe pas momenteve më të vështira të jetës. Një histori që nuk është vetëm për Hollywood-in, por që prek çdo zemër që beson tek ndjenjat e sinqerta.
Vjola Murati është spikere dhe gazetare në Blu Televizion, me një formim akademik në Shkenca Sociale dhe Komunikim nga Universiteti i Tiranës. Ajo sjell në ekran profesionalizëm, ndjeshmëri dhe përkushtim ndaj realitetit të komunitetit vendas.
Komente