Agjencia e Administrimit të Pasurive të Sekuestruara dhe të Konfiskuara ka nisur vitin 2026 me vijimin e praktikës së përdorimit të pasurive nën sekuestro në funksion të interesit publik, duke i orientuar ato drejt institucioneve shtetërore dhe shoqërisë civile.
Në këtë kuadër, kryeadministratorja e AAPSK, Risena Xhaja, zhvilloi një vizitë pune në një spital privat ndaj të cilit është vendosur masë sekuestroje preventive, në kuadër të një hetimi të Prokurorisë së Tiranës. Me miratimin e prokurorit të çështjes, agjencia ka nisur procesin e identifikimit dhe shpërndarjes së pajisjeve mjekësore të gjetura në këtë objekt.
Pajisjet do t’i kalojnë Ministrisë së Shëndetësisë dhe do të vihen në përdorim nga Qendra Spitalore Universitare “Nënë Tereza” si dhe nga disa spitale rajonale, sipas nevojave të përcaktuara, me synimin për të rritur kapacitetet e shërbimit shëndetësor publik.
Gjatë vizitës, Risena Xhaja u shpreh se agjencia po vijon një praktikë të konsoliduar pune, duke vënë pasuritë e sekuestruara në shërbim të institucioneve shtetërore dhe interesit publik, ndërsa theksoi se në këtë rast pajisjet mjekësore po i kalojnë sistemit publik të shëndetësisë me autorizimin e organit të akuzës.
Ky veprim synon përmirësimin e drejtpërdrejtë të shërbimeve shëndetësore dhe përdorimin efikas të pasurive të sekuestruara në dobi të qytetarëve. AAPSK njofton se do të vijojë administrimin ligjor, transparent dhe të përgjegjshëm të këtyre pasurive, duke i shndërruar ato në vlerë konkrete për komunitetin.
Komente