Presidentja e Kosovës Vjosa Osmani, ka pritur sot në takim Përfaqësuesin e Posaçëm të Bashkimit Evropian për Dialogun Kosovë-Serbi, Peter Sørensen. Gjatë diskutimit, Presidentja Osmani theksoi rëndësinë e avancimit të procesit të integrimit evropian të Kosovës dhe kërkoi largimin e masave të padrejta, të cilat po prekin qytetarët e Kosovës.
Në fokus të bisedimeve ishin gjithashtu çështje të tjera si konstituimi i Kuvendit të Kosovës dhe funksionimi demokratik i institucioneve të tjera, që janë të nevojshme për të avancuar objektivat e përbashkëta të shtetit të Kosovës.
Presidentja Osmani ngriti gjithashtu shqetësimin për arrestimet arbitrare të qytetarëve të Kosovës nga autoritetet serbe duke kërkuar angazhim të Bashkësisë Ndërkombëtare për të ndërprerë këto veprime të paligjshme. Ajo nënvizoi se Kosova mbetet e përkushtuar ndaj rrugës së saj evropiane dhe theksoi nevojën për reforma demokratike të cilat duhet të shpërblehen me hapa konkretë nga Bashkimi Evropian.
Presidentja e Kosovës theksoi gjithashtu rëndësinë e integrimit të Kosovës në organizata ndërkombëtare, me fokus në Këshillin e Evropës dhe në organizata të tjera të rëndësishme për forcimin e pozicionit të Kosovës në arenën ndërkombëtare.
Përfundimisht, Osmani theksoi rëndësinë e një Dialogu të drejtë e të paanshëm për avancimin e paqes, stabilitetit dhe perspektivës evropiane të rajonit. Ajo falënderoi z. Sørensen për rolin dhe angazhimin e tij të deritanishëm në mbështetje të një dialogu të bazuar në trajtimin e barabartë të palëve.
Komente