Presidentja e Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani, gjatë një vizite zyrtare në Riga të Letonisë, theksoi angazhimin e palëkundur të Kosovës për të qenë një partner i fuqishëm dhe aleat besnik në mbrojtje të vlerave demokratike dhe të sigurisë në Evropë.
“Kosova është dhe do të mbetet një aleate e besueshme në mbrojtje të vlerave demokratike”, tha Presidentja Osmani pas vizitës në Qendrën e Ekselencës së NATO-s për Komunikim Strategjik (STRATCOM), ku diskutoi me zyrtarët për thellimin e bashkëpunimit në fushën e sigurisë kibernetike dhe komunikimit strategjik – dy fusha që janë prioritet në kuadër të përpjekjeve të Kosovës për anëtarësim në NATO.
Gjatë vizitës, Presidentja Osmani mori pjesë në një diskutim në Shtëpinë e Evropës me gra lidere dhe aktiviste letoneze, ku ndau me to përvojën e Kosovës si një vend që ka kaluar përmes luftës, por që sot është një shembull i përparimit demokratik, me një fokus të veçantë në fuqizimin e grave. “Kosova avancon përpara me gratë në qendër të çdo procesi demokratik dhe të sigurisë”, theksoi ajo.
Vizita përmbyllet me një vizitë në Muzeun e Okupimit të Letonisë, ku Presidentja Osmani e përshkroi si një moment reflektimi të thellë mbi historinë e qëndresës kundër pushtimit dhe padrejtësisë. “Si Kosova, ashtu edhe Letonia, mbijetuan përmes rezistencës dhe krenarisë kombëtare. Kujtesa kolektive është forca jonë – për të mos harruar të kaluarën e lavdishme dhe për të ndërtuar një të ardhme të drejtë e të sigurt”, u shpreh ajo.
Komente