Prishtinë, 3 korrik 2025 – Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, po vazhdon konsultimet intensive me liderët politikë në përpjekje për të gjetur një zgjidhje për ngërçin institucional në Kuvend, i cili mbetet i pakonstituar më shumë se katër muaj pas zgjedhjeve parlamentare.
Në kuadër të këtyre takimeve, Osmani priti sot bashkëkryetarin e partisë Guxo, Faton Peci, i cili pas takimit theksoi nevojën urgjente për zhbllokim politik dhe konstituimin e Kuvendit.
“U bëj thirrje të gjitha partive politike t’i thërrasin arsyes dhe të mundësojnë zgjedhjen e kryetarit të Kuvendit. Vetëm kështu mund të kemi një qeveri brenda 15 ditësh,” deklaroi Peci për mediat.
Paqartësi rreth afatit kushtetues
Sipas Pecit, ekziston një paqartësi ligjore lidhur me afatin 30-ditor për konstituimin e Kuvendit dhe presidentja mund t’i drejtohet Gjykatës Kushtetuese për interpretim.
“Nëse e marrim si pikënisje datën 15 prill, kur u bë përpjekja e parë për konstituim, atëherë 30 ditët kanë kaluar. Prandaj mund të kërkohet sqarim shtesë nga Gjykata Kushtetuese,” shtoi ai.
Takime me liderët politikë dhe përfaqësues të komuniteteve joshumicë
Presidentja Osmani pritet të zhvillojë takime edhe me përfaqësues të partive të komuniteteve joshumicë. Një ditë më parë, ajo takoi liderët e partive kryesore: Albin Kurti (LVV), Memli Krasniqi (PDK), Lumir Abdixhiku (LDK) dhe Ramush Haradinaj (AAK).
Pas takimit me presidenten, kryeministri në detyrë, Albin Kurti, tha:
“Diskutuam gjerë e gjatë për të gjitha elementet përbërëse. Zonja presidente do të vazhdojë me takimet dhe në fund shpresojmë të kemi progres konkret.”
Ndërkohë, partitë e mëdha kanë ripërsëritur qëndrimin për një votim të hapur në zgjedhjen e kryetarit të Kuvendit – një çështje që vazhdon të mbetet objekt diskutimi.
Presidenca: Të zbatohet aktgjykimi i Kushtetueses
Përmes një komunikate zyrtare, Presidenca e Kosovës ka bërë të ditur se Osmani ka kërkuar nga të gjitha subjektet politike që të arrijnë marrëveshje dhe të përmbyllin konstituimin e Kuvendit brenda afatit kushtetues.
Këshilltari i presidentes, Bekim Kupina, tha më 30 qershor se:
“Presidentja pret që subjektet politike të përmbushin detyrimet e tyre ligjore dhe të përfundojnë seancën konstituive brenda afatit 30-ditor të përcaktuar nga Gjykata Kushtetuese.”
Efrosina Papa, gazetare me një karrierë 26-vjeçare në median e Vlorës, është një zë i dalluar i informimit lokal, që ka ndërtuar me përkushtim urën mes qytetarëve dhe ngjarjeve të ditës. Ajo është e njohur për pasqyrimin e drejtë dhe të ndershëm të realitetit, me vëmendje të veçantë ndaj historive njerëzore dhe figurave punëtore të komunitetit.
Komente