Operacioni “Silent Crossing” në Sarandë – Trafik ndërkufitar i mjeteve lundruese, 1 i arrestuar dhe 3 në kërkim

Operacioni “Silent Crossing” në Sarandë – Trafik ndërkufitar i mjeteve lundruese, 1 i arrestuar dhe 3 në kërkim

Policia e Sarandës ka finalizuar me sukses operacionin policor të koduar “Silent Crossing”, duke zbuluar dhe dokumentuar një rast të trafikut të paligjshëm të mjeteve lundruese nga Greqia në Shqipëri. Operacioni u zhvillua në bashkëpunim me Prokurorinë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Sarandë, pas kallëzimit të bërë nga një shtetas grek, i cili raportoi se më 28 qershor në ishullin e Korfuzit i ishin vjedhur dy mjete lundruese – një gomone dhe një skaf.

Bazuar në këto informacione, strukturat hetimore organizuan një operacion blic, që çoi në arrestimin në flagrancë të shtetasit D. D., 23 vjeç, banues në Gjashtë, Sarandë. Po ashtu, janë shpallur në kërkim tre persona të tjerë të dyshuar si bashkëpunëtorë në këtë veprimtari kriminale: D. J., 48 vjeç dhe A. J., 24 vjeç, të dy banues në Sarandë, si dhe A. K., 48 vjeç, banues në Tepelenë.

Hetimet paraprake kanë zbuluar se katër shtetasit dyshohet të kenë kryer vjedhjen e mjeteve lundruese në Korfuz, për t’i trafikuar më pas në territorin shqiptar. Gjatë kontrolleve në terren, në një parcelë në fshatin Vrion, Finiq, u gjet i fshehur njëri prej mjeteve lundruese, i cili u sekuestrua së bashku me një kamion të dyshuar se është përdorur për transportimin e mjetit nga bregdeti drejt zonës së brendshme.

Policia vijon punën për kapjen e personave të shpallur në kërkim dhe për identifikimin e personave të tjerë të përfshirë në këtë rrjet. Materialet procedurale i janë referuar Prokurorisë për veprime të mëtejshme ligjore.

Autoritetet theksojnë se kontrollet do të intensifikohen për të parandaluar dhe goditur aktivitetet e paligjshme përgjatë vijës bregdetare gjatë sezonit turistik.

Lajmi nga: Armand Xhelili
Media e dytë
Armand Xhelili

Armand Xhelili

Armandi Xhelilaj është gazetar me përvojë të gjatë në median vizive dhe të shkruar, me fokus në raportimin nga terreni dhe trajtimin e problematikave sociale e komunitare. Me një formim akademik në Gazetari-Komunikim dhe eksperiencë në televizione ai ka dëshmuar profesionalizëm dhe angazhim të vazhdueshëm në fushën e informimit.

Komente

-