Operacioni “Pretendimi” në Tiranë: 6 persona shantazhonin një 29-vjeçar për para, arrestohet njëri prej tyre

Operacioni “Pretendimi” në Tiranë: 6 persona shantazhonin një 29-vjeçar për para, arrestohet njëri prej tyre

Policia e Tiranës ka finalizuar operacionin policor të koduar “Pretendimi”, duke zbuluar dhe goditur një skemë shantazhi ndaj një 29-vjeçari dhe familjarëve të tij. Hetimet kanë treguar se gjashtë persona, tre prej tyre vëllezër, kanë bashkëpunuar për të kanosur dhe shantazhuar viktimën për dhënien e një shume të konsiderueshme parash, që pretendonin se u detyrohej.

Sipas njoftimit zyrtar, në pranga është vënë Ersi Cekani, 26 vjeç, ndërsa vellai i tij, A. C., 28 vjeç, është shpallur në kërkim. Një tjetër vëlla, A. C., 35 vjeç, së bashku me shtetasit R. B., 35 vjeç, S. B., 19 vjeç, banues në Librazhd, dhe L. F., 32 vjeç, banues në Peshkopi, janë proceduar penalisht në gjendje të lirë.

Gjatë operacionit, policia ka sekuestro një automjet që dyshohet të jetë përdorur nga autorët gjatë veprimeve të paligjshme. Hetuesit kanë siguruar prova që tregojnë se të dyshuarit kanë përdorur komunikime telefonike dhe mesazhe kërcënuese për të detyruar 29-vjeçarin dhe familjen e tij të paguanin shumën e kërkuar.

Sipas Policisë së Tiranës, ngjarja u zbulua pas një njoftimi të marrë në Komisariatin Nr. 4, ku familjarët e viktimës raportuan kanosjet. Pas veprimeve të menjëhershme të specialistëve për Hetimin e Krimeve, u identifikuan autorët dhe u ndërmorën masat e menjëhershme ligjore.

Materialet procedurale i janë referuar Prokurorisë së Tiranës, për veprime të mëtejshme në kuadër të veprës penale “Shtrëngimi me anë të kanosjes ose dhunës për dhënien e pasurisë”, e kryer në bashkëpunim.

Hetimet vazhdojnë për kapjen e personit të shpallur në kërkim dhe për zbardhjen e plotë të rrethanave të ngjarjes.

Lajmi nga: BLU TV Reports

Komente

-