Policia e Fierit ka goditur një tjetër rast të kultivimit të bimëve narkotike, si pjesë e operacionit antidrogë “Koordinata”, që po vijon me kontrolle intensive në të gjithë territorin e qarkut.
Gjatë një aksioni të zhvilluar gjatë natës në fshatin Rreth Libofshë, shërbimet e Komisariatit të Policisë Fier zbuluan dy parcela në pronësi publike, ku ishin kultivuar 284 bimë narkotike të llojit Cannabis Sativa. Në vendngjarje u kapën në flagrancë dhe u arrestuan dy shtetas:
A. Sh., 50 vjeç, banues në Tiranë,
J. B., 28 vjeç, banues në Rreth Libofshë,
të dy të dyshuar për veprën penale “Kultivimi i bimëve narkotike”, kryer në bashkëpunim.
Bimët e kultivuara u asgjësuan menjëherë në vend, ndërsa kontrollet vijojnë në zonën përreth dhe në të gjithë territorin e qarkut Fier, në kuadër të parandalimit dhe goditjes së veprimtarisë së paligjshme me lëndë narkotike.
Materialet procedurale i janë referuar Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Fier, për veprime të mëtejshme hetimore.
Policia e Shtetit thekson angazhimin e saj të pandërprerë për goditjen e paligjshmërisë në çdo cep të vendit dhe fton qytetarët të denoncojnë çdo rast të dyshuar në numrin 112 apo në Komisariatin Digjital.
Armandi Xhelilaj është gazetar me përvojë të gjatë në median vizive dhe të shkruar, me fokus në raportimin nga terreni dhe trajtimin e problematikave sociale e komunitare. Me një formim akademik në Gazetari-Komunikim dhe eksperiencë në televizione ai ka dëshmuar profesionalizëm dhe angazhim të vazhdueshëm në fushën e informimit.
Komente