Policia e Durrësit ka finalizuar me sukses operacionin policor të koduar “Blindi”, duke vënë në pranga dy persona që qarkullonin me një automjet të blinduar dhe të armatosur.
Në pranga kanë rënë 28-vjeçari, banues në Durrës, i arrestuar për veprën penale “Mbajtja pa leje dhe prodhimi i armëve, armëve shpërthyese dhe i municionit”, si dhe 29-vjeçari Ernest Beqiri, po ashtu banues në Durrës, i cili akuzohet për veprën penale “Moskallëzimi i krimit”.
Gjatë operacionit, shërbimet e policisë kanë ndaluar automjetin e blinduar që drejtohej nga 28-vjeçari, ndërsa pasagjer ndodhej Ernest Beqiri. Gjatë kontrollit të mjetit, efektivët gjetën dhe sekuestruan një armë zjarri pistoletë me krehër fishekësh, një targë ruse të dyshuar të falsifikuar, një shumë parash dhe tre celularë.
Sipas njoftimit zyrtar, operacioni u organizua pas informacioneve të siguruara në rrugë operative, të cilat tregonin për dy persona që qarkullonin të armatosur në territorin e Durrësit me një automjet të blinduar. Pas ndalimit të tyre, materialet procedurale iu referuan Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Durrës për veprime të mëtejshme ligjore.
Policia njofton se hetimet vijojnë për të përcaktuar origjinën e targës së falsifikuar dhe arsyet e mbajtjes së armës dhe automjetit të blinduar.
Komente