Një operacion i gjerë kërkim-shpëtimi është zhvilluar gjatë gjithë ditës së sotme nga Qendra Kombëtare e Kërkim-Shpëtimit (RCC Albania) në bashkëpunim të ngushtë me Forcat e Armatosura, Policinë Kufitare dhe autoritetet ndërkombëtare të shpëtimit, si MRCC Roma, MRSC Bari dhe MRSC Venezia për të lokalizuar personin e raportuar të zhdukur nga trageti ndërkombëtar “AKKA”.
Zona e kërkimit është zgjeruar në një hapësirë të madhe detare duke filluar nga Kepi i Stillos në jug dhe duke arritur deri në grykderdhjen e Semanit në veri.
Forcat dhe Mjetet e Angazhuara në Operacion:
- 1 Dron TB2 i Forcave Ajrore
- 1 Helikopter UH-60 i Forcës Ajrore (me 3 efektivë)
- 1 Anije patrulluese P05 e Forcës Detare (me 4 efektivë)
- 1 Motor uji (me 2 efektivë)
- 4 mjete patrullimi të Policisë Kufitare (BP-01, BP-06, BP-09, BP-30) me gjithsej 13 efektivë
Bilanci i Operacionit:
- 8 mjete ajrore dhe detare të angazhuara
- 22 efektivë të përfshirë në kërkim
Operacioni është zhvilluar në një koordinim të vazhdueshëm ndërinstitucional dhe ndërkombëtar, duke siguruar një mbulim të plotë të protokolleve të kërkim-shpëtimit në det.
Operacionet kërkim-shpëtimi do të vijojnë edhe në ditët në vijim, duke u përpjekur të lokalizojnë personin e zhdukur dhe duke monitoruar me kujdes kushtet detare që mund të ndikojnë në zhvillimin e operacioneve.
Ky operacion dëshmon angazhimin e vazhdueshëm të institucioneve shqiptare dhe ndërkombëtare për të siguruar sigurinë në det dhe për të ofruar ndihmën e nevojshme në raste emergjencash.
Armandi Xhelilaj është gazetar me përvojë të gjatë në median vizive dhe të shkruar, me fokus në raportimin nga terreni dhe trajtimin e problematikave sociale e komunitare. Me një formim akademik në Gazetari-Komunikim dhe eksperiencë në televizione ai ka dëshmuar profesionalizëm dhe angazhim të vazhdueshëm në fushën e informimit.
Komente