Flodian Plaku, i njohur me nofkën ‘Pole Qorri’, është përballur sot me Gjykatën e Tiranës, ku u rikonfirmua masa e sigurisë “arrest me burg” ndaj tij. Plaku akuzohet për përfshirje në vrasjen me breshëri automatike të ish-policit Gentjan Bejtja, ngjarje e ndodhur në mars të vitit 2024 në fshatin Larushk të Fushë-Krujës.
Në sallën e gjyqit, 41-vjeçari, me precedentë penalë të mëparshëm dhe i konsideruar me rrezikshmëri të lartë shoqërore nga policia, mohoi të ketë lidhje me krimin. Ai deklaroi se forcat RENEA e ndaluan në një hotel në Orikum 10 ditë pasi kishte përdorur një mjet tip ‘Golf’. “Policia erdhi tek unë 10 ditë pasi lëviza me Golf,” u shpreh ai, duke insistuar në pafajësinë e tij.
Megjithatë, pretendimet e të pandehurit nuk u morën parasysh nga trupa gjykuese, e cila rrëzoi edhe kërkesën e avokatit për një masë më të lehtë sigurie.
Policia kishte kohë që ishte vënë në ndjekje të Plakut, i cili ishte shpallur në kërkim kombëtar dhe ndërkombëtar që nga korriku i vitit 2024. Dyshohet se ai kishte lëvizur mes Dubait, Italisë dhe Greqisë, ndërsa hetimet për arrestimin e tij u intensifikuan me mbikëqyrjen e personave që e ndihmonin të fshihej, përfshirë një berber dhe një person tjetër që i sillte ushqime.
Në momentin e ndalimit, Plaku ndodhej me Julian Aliaj, i cili gjithashtu u shoqërua nga policia. Në kontrollin fizik ndaj Plakut, u sekuestruan dy armë zjarri pa leje. E gjithë ndërhyrja policore zgjati vetëm tre minuta.
Hetimet për vrasjen e Gentjan Bejtjas vazhdojnë dhe deri më tani janë arrestuar disa persona të dyshuar për bashkëpunim, përfshirë Ilir Beqarajn, i cili dyshohet se ndihmoi autorët të largoheshin nga vendi i ngjarjes, dhe Edison Haxhiun, ndaj të cilit rëndon akuza e “sigurimit të kushteve dhe mjeteve për të kryer vrasje”.
Gentjan Bejtja ishte një emër i njohur për policinë, pasi kishte qenë objekt i disa atentateve të mëparshme, por kurrë nuk kishte bashkëpunuar me autoritetet për zbardhjen e tyre. Në të njëjtin vend ku u ekzekutua ai, një vit më parë ishte vrarë edhe kunati i tij Ramazan Sino, ndërsa dy djemtë e tij kishin mbetur të plagosur.
Ngjarja vijon të hetohet në lidhje me një zinxhir konfliktesh të mëparshme dhe lidhje të dyshuara me grupet kriminale.
Armandi Xhelilaj është gazetar me përvojë të gjatë në median vizive dhe të shkruar, me fokus në raportimin nga terreni dhe trajtimin e problematikave sociale e komunitare. Me një formim akademik në Gazetari-Komunikim dhe eksperiencë në televizione ai ka dëshmuar profesionalizëm dhe angazhim të vazhdueshëm në fushën e informimit.
Komente