“Nuk ka më kthim pas!”

“Nuk ka më kthim pas!”

Daja i Endri Shabanit kërkon mandatin e deputetit, ndërsa Adriatik Lapaj ruan heshtjen dhe vijon takimet

Kreu i “Nisma Shqipëria Bëhet”, Adriatik Lapaj, vijon takimet me qytetarët, ndërsa situata brenda lëvizjes duket e tensionuar. Në mes të kësaj situate, daja i Endri Shabanit, Zeqir Kordhoni, ka kërkuar në mënyrë të papritur të marrë mandatin e deputetit që i takonte Lapajt.

Kjo ngjarje ka tronditur koalicionin, pasi Kordhoni pretendon se nuk ka qenë i informuar plotësisht për dorëheqjen që mendohet se është dorëzuar në emër të tij, duke kërcënuar mandatin e Adriatik Lapajt në Kuvendin e ri 2025-2029.

Në llogarinë e tij në Facebook, Lapaj ka publikuar foto nga takimet me banorët e Njësisë Administrative Papër në Elbasan, ku falënderon qytetarët për mbështetjen, duke theksuar:

“Çdo ditë te njerëzit. Kjo është rrugë me pengesa, por rruga nuk ndalet. Nuk ka më kthim pas!”

Ky postim është parë si një “reagim i heshtur” ndaj zhvillimeve brenda “Nisma Shqipëria Bëhet”.

Konflikti brenda “Nisma Shqipëria Bëhet”
Një ditë më parë, Zeqir Kordhoni i është drejtuar Komisionit Qendror të Zgjedhjeve për të kërkuar një kopje të letrës së dorëheqjes, duke deklaruar se nuk kishte dijeni për dorëzimin e saj në emër të tij:

“Unë jam deputet i ‘Nisma Shqipëria Bëhet’ dhe dua të marr kopje të letrës së dorëheqjes që më është paraqitur pa dijeninë time.”

Koalicioni “Nisma Shqipëria Bëhet” kishte zgjedhur që në zgjedhjet e 11 majit të hynte me një “listë të mbyllur” kandidatësh, ku disa prej tyre, përfshirë Kordhonin, ishin kandidatët “fiktivë” që do të jepnin dorëheqje pas zgjedhjeve për t’i hapur rrugë kandidatëve me vota nga lista e hapur.

Por kjo strategji po rrezikohet nga kërkesa e papritur e Zeqir Kordhonit, që synon të mbajë mandatin e deputetit, duke krijuar një situatë të ndërlikuar brenda partisë.

BLUTV do të vijojë t’ju mbajë të informuar mbi zhvillimet e këtij konflikti dhe reagimet zyrtare nga “Nisma Shqipëria Bëhet”.

Lajmi nga: Elton Nika
Elton Nika

Elton Nika

Elton Nika është gazetar i njohur nga Vlora, me një karrierë të gjatë në raportimin e lajmeve lokale dhe kombëtare. Aktualisht, ai kontribuon në Blu TV me kronika nga terreni dhe emisione informuese.

Komente

-