Në brigjet shkëmbore të Norvegjisë perëndimore, në afërsi të qytetit portual të Bergenit, po ndërtohet një strukturë gjigante që përfaqëson një nga projektet më ambicioze në Europë për kapjen dhe depozitimin e karbonit. I quajtur “Northern Lights”, ky projekt është pjesë e iniciativës kombëtare norvegjeze Longship dhe synon të bëhet një qendër rajonale për menaxhimin e CO₂-së nga industritë më ndotëse të kontinentit.
Në terminalin industrial të Øygarden, mijëra tonë CO₂ e lëngëzuar e kapur nga një fabrikë çimentoje në Brevik depozitohen përkohësisht, për t’u transportuar më pas rreth 110 kilometra në det të hapur dhe 2.6 kilometra nën shtratin e Detit të Veriut, ku do të ruhen në shtresa shkëmbore poroze.
Transformimi i përvojës së industrisë së naftës
Ndërsa Norvegjia ka qenë për dekada prodhuesi më i madh evropian i naftës dhe gazit natyror, qeveria norvegjeze po investon për të shndërruar trashëgiminë e saj në një industri të re: ruajtjen e karbonit. Në vend të hidrokarbureve, tani planifikohet që në rezervuarët e dikurshëm të gazit të magazinohet CO₂ nga termocentralet dhe fabrikat evropiane.
“Nëse keni një port dhe tanke për CO₂, ne mund ta marrim për ju,” tha Aksel Plener, drejtues operativ i projektit për Northern Lights.
Në projekt janë përfshirë tre kompani gjigante të energjisë: Equinor, Shell dhe TotalEnergies, të cilat kanë vënë në dispozicion ekspertizën e tyre në inxhinierinë në det të hapur për realizimin e terminalit, tubacioneve dhe flotës së specializuar për transportin e CO₂-së.
Një zgjidhje për industritë që nuk mund të dekarbonizohen lehtë
Industria e çimentos, e plehrave dhe energjisë nga gazi natyror, janë ndër më ndotëset në kontinent. Duke qenë të detyruara të përballen me taksa të larta mbi emetimet dhe rregullore mjedisore gjithnjë e më strikte, kompanitë po orientohen nga CCS (carbon capture and storage) si zgjidhje teknike dhe ekonomike.
Një nga klientët e parë është Heidelberg Materials, që operon një fabrikë në Brevik. Me ndihmën e teknologjisë moderne me amina, aty kapen rreth 400,000 tonë CO₂ në vit, që më pas lënguizohet dhe dërgohet me anije të posaçme drejt Øygarden-it për depozitim përfundimtar nën det.
Një flotë e re për transportin e karbonit
Anijet e ndërtuara në Kinë janë mbi 120 metra të gjata, të pajisura me vela rotor dhe sisteme për uljen e konsumit të karburantit. Kapiteni Hroar Skofteby, i cili drejton njërën prej këtyre anijeve, tha se do të transportojë CO₂ nga termocentralet e kompanisë daneze Orsted në Kopenhagë drejt Norvegjisë.
Projekti ka nënshkruar gjithashtu marrëveshje me fabrika në Holandë dhe Suedi për të marrë CO₂ të tepërt.
Mbështetje publike për një treg të ri karbonik
Shteti norvegjez ka investuar 3.4 miliardë dollarë për ndërtimin e infrastrukturës dhe për të mbështetur 10 vitet e para të operimit. Sipas përllogaritjeve, depozitimi i një toni CO₂ kushton rreth 75 dollarë, por kapja e tij mund të arrijë deri në 400 dollarë për ton, në varësi të teknologjisë së përdorur.
Për të stimuluar pjesëmarrjen, autoritetet kanë ofruar subvencione edhe për përdoruesit ndërkombëtarë, ndërsa Bashkimi Evropian dhe Suedia kanë kontribuar me fonde shtesë.
Një e ardhme e qëndrueshme, por jo pa sfida
Edhe pse Northern Lights shihet si një hap revolucionar drejt dekarbonizimit të industrisë evropiane, sfidat ekonomike janë të mëdha. Produktet e përpunuara përmes kësaj teknologjie — si çimentoja me emetim të ulët CO₂ — mund të kushtojnë deri në trefishin e çmimit të zakonshëm.
Megjithatë, kërkesa për këto produkte po rritet. “Evozero”, çimentoja e re e Heidelberg, është shitur paraprakisht për gjithë vitin, dëshmi e interesit në rritje për produkte të gjelbra nga kompanitë ndërtimore dhe publike.
Adriatik Golemaj, Drejtor Ekzekutiv i televizionit, ka 28 vite përvojë në media lokale dhe ndërkombëtare. Ka punuar si gazetar, redaktor dhe prezantues, si dhe si ndërmjetës për organizata mediatike të huaja. Ka drejtuar projekte komunikimi me publikun dhe median për kompani ndërkombëtare. Në rolin e tij aktual, ai garanton funksionimin e televizionit dhe përfaqëson institucionin në bashkëpunime strategjike.
Komente