Një xhevair lëvizës në Vlorë. Autobusi panoramik  që i jep turizmit një dimension të ri.

Një xhevair lëvizës në Vlorë. Autobusi panoramik që i jep turizmit një dimension të ri.

Ka diçka magjike kur sheh një qytet nga dritaret e mëdha të një autobusi panoramik. Sa herë kemi udhëtuar jashtë Shqipërisë, kemi zgjedhur këtë mënyrë të bukur dhe komode për të njohur atraksionet kryesore të qyteteve të mëdha europiane, me guidë audio, me mundësinë për të ndalur në çdo pikë të rëndësishme dhe me atë ndjesi të këndshme që të jep një udhëtim i mirëorganizuar.E bukura është që tashmë kjo eksperiencë nuk është më vetëm privilegj i metropoleve të huaja. Vlora, qyteti ynë bregdetar me histori, kulturë dhe pamje mahnitëse, ka prej disa kohësh autobusin e vet panoramik , një xhevahir lëvizës që po i jep turizmit vendas një dimension të ri.

Ky autobus i konceptuar posaçërisht për turistët ofron jo vetëm komoditet, por edhe një udhëtim informues dhe emocionues nëpër pikat më të bukura të qytetit. Me tavan të hapur gjatë ditëve me diell dhe me dritare të mëdha që lejojnë pamje të papenguar, çdo pasagjer ka mundësinë të shohë Vlorën nga një këndvështrim ndryshe.

Por çfarë e bën këtë eksperiencë edhe më të veçantë?
Pa dyshim, guida audio shumëgjuhëshe, e cila u jep turistëve informacion historik, kulturor dhe anekdota interesante për çdo pikë të ndalesës. Nga Sheshi i Flamurit dhe Monumenti i Pavarësisë, deri te Lungomare, Uji i Ftohtë dhe Kalaja e Kaninës, çdo ndalesë është një kapitull më vete në librin e madh të Vlorës.Ky model i njohur tashmë në gjithë botën, u lejon vizitorëve të zbresin në çdo atraksion që duan të vizitojnë më gjatë dhe të hipin sërish në autobus pa humbur asnjë pikë të itinerarit.
Përtej komoditetit, ky shërbim është një vlerë e shtuar për turizmin lokal. Ai ndihmon jo vetëm në promovimin e qytetit, por edhe në edukimin turistik të vetë qytetarëve dhe vizitorëve shqiptarë që ndoshta nuk e kanë parë kurrë Vlorën me sytë e një turisti.Ky autobus është një ftesë për të njohur historinë, bukuritë natyrore dhe trashëgiminë kulturore të Vlorës, pa stresin e parkimit, pa lodhjen e ecjeve të gjata në vapë, dhe me një dozë të bukur rehatie.
Ky projekt është fryt i vizionit dhe investimit privat të kompanisë
“ Regina Group”, e cila ka besuar fuqishëm në potencialin e Vlorës si destinacion turistik.
Ky xhevahir lëvizës po revolucionarizon mënyrën se si vizitorët dhe qytetarët njohin dhe përjetojnë Vlorën.Investitori privat ka synuar të krijojë një shërbim që i përgjigjet pritshmërive të turistëve modernë,komoditet, cilësi, informacion i pasur dhe një eksperiencë që ngjall emocion. Kjo është një dëshmi se potenciali i Vlorës nuk është vetëm në bukuritë natyrore, por edhe në mundësitë që ofron për risi dhe zhvillim.

Turi nis çdo mbrëmje në orën 20:00 nga Uji i Ftohtë . Autobusi dy-katësh, me tavan të hapur, nis udhëtimin përgjatë vijës bregdetare, ku pasqyrohen në det dritat e qytetit dhe freskia e mbrëmjes mbush ajrin.

Një nga momentet më të bukura është ndalesa në Orikum, ku pasagjerët kanë mundësinë të shijojnë perëndimin spektakolar të diellit mbi detin Jon, një pamje që shpesh mbetet në kujtesën e çdo vizitori për shumë kohë.

Gjatë rrugës, atmosfera mbushet me muzikë ritmike, që e bën udhëtimin jo vetëm relaksues, por edhe argëtues. Më pas, autobusi ngjitet në Bypass-in panoramik, nga ku hapet një pamje unike mbi qytetin e Vlorës dhe bregdetin, duke lejuar pasagjerët të bëjnë fotografi të mrekullueshme.
Turi vazhdon drejt Kalasë së Kaninës, një vend historik dhe i rëndësishëm, ku bëhen dy ndalesa për pushim dhe për të shijuar ambientin. Këtu, vizitorët mund të eksplorojnë pak zonën, të bëjnë foto dhe të ndjejnë frymën e një periudhe të lashtë që ende jeton në muret e kalasë.

Në një kohë kur shumë vende kërkojnë modelin më të mirë për të zhvilluar turizmin, Vlora po tregon se investimet private mund të sjellin frymëmarrje të re dhe të ofrojnë zgjidhje të qëndrueshme.

“Regina Group” nuk është vetëm një biznes, është një partner i komunitetit, që përmes kësaj nisme ka krijuar vende pune, ka rritur promovimin e qytetit dhe ka shtuar atraktivitetin e Vlorës si destinacion turistik.

Kjo nismë është një model frymëzues për sipërmarrësit e tjerë dhe një thirrje për bashkëpunim më të ngushtë mes sektorit privat dhe institucioneve publike.

Ky tur është një përvojë e bukur për të gjithë tutistët vendas dhe të huaj sepse jep mundësinë të shijojnë një pamje të plotë dhe të papenguar të bregdetit dhe qytetit duke prekur nga afër historinë dhe kulturën lokale në mënyrë interaktive dhe të freskët nëpërmjet një rehatie dhe komoditeti fantastik.
Turizmi në Vlorë ka nevojë për një përpjekje të përbashkët, ku bizneset, komuniteti dhe pushteti vendor të punojnë së bashku për të nxitur ofertat cilësore dhe për të garantuar një eksperiencë të paharrueshme për çdo vizitor.
Vlora po ecën përpara me hapa të sigurt drejt një turizmi modern, të qëndrueshëm dhe emocionues.
Autobusi panoramik është vetëm fillimi i një udhëtimi të mrekullueshëm që na fton të gjithë të eksplorojmë dhe të dashurojmë më shumë këtë qytet të bukur.

Lajmi nga: Marieta Mërkuri
Media e dytë
Marieta Mërkuri

Marieta Mërkuri

Profesioniste në fushën e medias dhe edukimit, me përvojë të gjatë në gazetari, bibliotekonomi dhe zhvillimin e projekteve edukative me fokus në etikën dhe komunikimin.

Komente

-