Një qytet normal - Nga Ardi Stefa

Një qytet normal - Nga Ardi Stefa

Nuk ka nevojë për shumë fantazi që të përfytyrosh një qytet normal.
Mjafton të mos ketë shumë zhurmë, shumë tym, shumë rrëmujë. As shumë indiferencë. Një qytet normal nuk ka nevojë të duket si kartolinë për turistët, por as të jetojë si kantier i përhershëm për banorët.
Një qytet normal nuk e ka luksin të ketë gjithmonë asfalt të ri, por ka detyrimin të mos e shndërrojë çdo shi në një festival pellgjesh dhe përmbytjesh.
Nuk i ka të gjitha trotuaret prej mermeri, por as nuk e trajton këmbësorin si të dorës së dytë. Nuk ka transport publik futurist, por ka orare të sakta dhe mjete që nuk turpërojnë as qytetarin, as shoferin, as pushtetin lokal.
Një qytet normal nuk është vetëm produkt i një administrate të përgjegjshme. Është edhe pasqyrë e qytetarëve të vet. Nuk mund të presësh rrugë të pastra, kur i trajton kazanët si kosha basketbolli, por me basketbollistë që nuk bëjnë ndonjëherë kosh.
Nuk mund të ankohesh për mungesën e gjelbërimit, kur e trajton pemën si vend për të lidhur gomarin. As për mungesën e lulishteve kur barin dhe lulet i shkel me këmbë se do t'i biesh shkurt.
Një qytet normal ndërtohet kur qytetarët kuptojnë se "hapësira publike" nuk do të thotë "hapësira e askujt", por hapësira që na përket të gjithëve dhe që na bën të gjithëve përgjegjës.
Një qytet normal nuk e njeh fjalën "aksion" për pastrimin e plehrave. Plehrat nuk presin kamerat për t’u mbledhur. Por as qytetarët nuk duhet të presin që dikush t'u pastrojë gjurmët e papërgjegjshmërisë.
Një qytet normal nuk shpreson te fati që të mos ndodhë ndonjë zjarr, se e di mirë sa zjarrfikëse e zjarrfikës ka. As te donacionet për të veshur zjarrfikësit. Një qytet normal ka institucione që funksionojnë pa duartrokitje.
Një qytet normal nuk është arenë e qejfeve të çastit për pushtetarët, por as shesh ankese për qytetarët që janë mësuar të kërkojnë llogari për çdo gjë, përveçse për veten. Një qytet normal është shtëpia e përditshme e qytetarëve që nuk presin projekte spektakolare, por një qytet ku të mos ndihen si të huaj.
Një qytet normal jeton me zgjidhje të përditshme, jo me spektakle të përkohshme. Nuk prodhon heronj të rrjeteve sociale, por qytetarë që bëjnë detyrën e tyre pa bujë: që nuk parkojnë në mes të trotuarit, as ecin kundravajtje; që e nxjerrin qesen e mbeturinave aty ku duhet, që e kuptojnë se “një copë letër më pak përtokë” është më e vlefshme se një mijë statuse në Facebook.
Një qytet normal nuk është një ëndërr e madhe. Është minimumi që i detyrohesh vetes si qytetar dhe komunitetit tënd si pjesëtar.
S’duam më "qytete model fasadash", duam thjesht qytete normale. Dhe kjo fillon me një pakt të heshtur: pushteti të bëjë detyrën e tij, qytetari të bëjë detyrën e vet.
Herë si aleatë e kur duhet si kundërshtarë!
Vetëm atëherë normaliteti do të ndalojë së qeni luks.

Lajmi nga: BLU TV Reports

Komente

-