Një pjesë e shpirtit tim mbeti në Volë

Një pjesë e shpirtit tim mbeti në Volë

Nga kujtesa e një bije për babanë e saj çam që nuk reshti kurrë së ëndërruari shtëpinë e tij të humbur

Sot, teksa provoja këto rroba, nuk mund të mos mendoja për babain tim.

Shabani ishte bir krenar i dy prindërve çamë. Nëna e tij e kishte mbajtur në bark gjatë rrugës drejt Shqipërisë, në atë ikje të mundimshme, të ndjekur nga nga ushtria Greke drejt një vendi që nuk ishte i ri, por duhej të bëhej shtëpi.

Babai im nuk kishte lindur në Çamëri, por çdo ditë e jetës së tij i mungonte aroma e atij vendi. Ishte rritur me rrëfimet e prindërve të tij dhe dinte të tregonte me përpikëri ku ndodhej shtëpia e të parëve në Volë,në Çamërinë e dikurshme, në atë që sot është tokë greke.

Vite më vonë kishte shkuar vetë në Greqi. E kishte kërkuar shtëpinë, e kishte gjetur. Kishin mbetur ende aty: kopështi, rrënojat, gurët që flisnin një gjuhë të heshtur, si në rrëfimet e të atit, Yzer Mustafait. I tregonte me një emocion që të prekte zemrën, si të ishte kthyer në një vend që nuk e kishte parë kurrë, por që e njihte më mirë se pëllëmbet e tij

Shabani kishte të gjitha karakteristikat e një burri të mirë çam: punëtor, i fjalës, kurajoz. Kur fliste ai, nuk kishte njeri që të mos e dëgjonte. Madje dhe guri sikur mbante vesh. Një burrë që e mbante dinjitetin në zë dhe kujtesën në shpirt.

Babai ,edhe pse e dinte se ky ishte një amanet që ne nuk ja plotësonim dot ,na e përsëriste gjithmonë: “Po u hapën rrugët, mua do të më çoni të varrosem tek shtëpia ime në Vole.” A thua se ai, megjithëse lindi, u rrit, u martua, bëri fëmijë dhe u bë gjysh këtu në Vlorë, nuk u ndje kurrë vërtet vendas. Tokën e tij të lindjes e mbante në zemër, jo si vendin ku ishte rritur, por si atë që prindërit e tij i mesuan që e kishte shtepi

Sot teksa vishja tumanet e lejlajta dhe perkedhelja kemishen e artë unë kuptova se një pjesë e imja nuk do t’i përkasë kurrë plotësisht Shqipërisë dhe këtij vendi ku jetoj. Një pjesë e shpirtit tim i përket babait tim – dhe Çamërisë së tij. Ajo pjesë jeton në kujtimet, në rrëfimet, në gurët që flasin ende, dhe në një amanet që ende pret një rrugë të hapur.

Lajmi nga: Dea Hasanaj
Dea Hasanaj

Dea Hasanaj

Dea Hasanaj është Drejtore e Burimeve Njerëzore, Administratës dhe Programacionit në Blu TV. Me formim juridik, ajo koordinon funksionimin organizativ të televizionit, menaxhon stafin dhe siguron zbatimin e standardeve editoriale.

Përveç detyrës drejtuese, Dea është edhe autore dhe shkrimtare opinioni, e njohur për analizat e saj mbi çështje sociale, kulturore dhe mediatike.

Ajo përfaqëson institucionin pranë palëve të treta, dhe kujdeset për ecurinë e bashkëpunimit të brendshëm.
Roli i saj është thelbësor për funksionimin efikas dhe identitetin editorial të Blu TV

Komente

-