“Një në 50 shqiptarë në burg”? Rama sfidon Nigel Farage me fakte: “Nëse ke të drejtë, i marr të gjithë mbrapsht!”

“Një në 50 shqiptarë në burg”? Rama sfidon Nigel Farage me fakte: “Nëse ke të drejtë, i marr të gjithë mbrapsht!”

Kryeministri Edi Rama i është përgjigjur deklaratës së deputetit britanik Nigel Farage, i cili ka pretenduar se “1 në 50 shqiptarë në Britani është në burg” dhe i ka kërkuar qeverisë shqiptare t’i rikthejë menjëherë të gjithë emigrantët.

Përmes një reagimi në platformën X (ish-Twitter), Rama e ka cilësuar deklaratën e Farage si të pavërtetë dhe absurde, duke e sfiduar publikisht për një përballje me fakte.

“Pretendimi juaj nuk është fakt. Është absurd. Një klasik i manualit post-Brexit: ‘Nëse tingëllon frikshëm, atëherë duhet të jetë e vërtetë,’” shkruan Rama.

Kryeministri thekson se, edhe nëse të gjitha rastet e shqiptarëve të ndaluar do të konsideroheshin të justifikuara, shkalla e kriminalitetit mes tyre nuk është më e lartë se ajo e popullsisë britanike — madje mund të jetë edhe më e ulët.

Ai i drejtohet Farage me një sfidë të drejtpërdrejtë:

“T’i sjellim të dyja palët faktet në tavolinë. Nëse shifra jote ‘1 në 50’ del e saktë, angazhohem publikisht t’i marr të gjithë mbrapsht. Por nëse jo, do të ftohesh në Shqipëri si i ftuar nderi.”

Rama shpreh gatishmërinë ta mirëpresë Farage me mikpritjen tradicionale shqiptare, me një kusht të vetëm:

“Herën tjetër kur dikush përgojon shqiptarët, të jesh ti i pari që i thotë të ndalet.”

Postimi i kryeministrit është bërë viral në rrjetet sociale, ndërsa pritet me interes reagimi i Nigel Farage, i cili njihet për retorikën e tij të fortë anti-emigracion dhe nacionaliste në politikën britanike.

Lajmi nga: Elton Nika
Elton Nika

Elton Nika

Elton Nika është gazetar i njohur nga Vlora, me një karrierë të gjatë në raportimin e lajmeve lokale dhe kombëtare. Aktualisht, ai kontribuon në Blu TV me kronika nga terreni dhe emisione informuese.

Komente

-