Një motor i vitit 1937, trashëgimi brezash dhe pasion i gjallë në Fier

Një motor i vitit 1937, trashëgimi brezash dhe pasion i gjallë në Fier

Një motor i prodhuar në vitin 1937 i ka mbijetuar Luftës së Dytë Botërore, regjimit komunist dhe tranzicionit pas viteve ’90, duke u kthyer në një simbol familjar dhe pasioni për 65-vjeçarin fierak Ferman Bendaj.

Motorri, i blerë nga babai i tij Halimi në vitet ‘60, dikur i përdorur nga ushtria shqiptare, është ruajtur me përkushtim dhe i është rikthyer pamja origjinale falë punës me dorë të Fermanit. “Ushtria i shiste me kile atëherë – rrëfen ai – dhe babai e bleu. Unë e riparova me kujdes dhe e ktheva në lavdinë e tij të dikurshme.”

Motorri ka shërbyer jo vetëm si mjet udhëtimi për familjen Bendaj, por edhe si mjet argëtimi për fëmijët e lagjes dhe si ambulancë në raste urgjente. “Ishte privilegj të udhëtoje me të – kujton me emocion Ferman Bendaj – njerëzit ndalonin për ta parë dhe për të bërë fotografi.”

Amaneti i të atit ishte që motori të trashëgohej nga brezi në brez. Sot, Ferman Bendaj ka dy djem dhe, për të respektuar amanetin, ka siguruar edhe një motor tjetër të të njëjtit model dhe vitprodhimi, të cilit i ka rikthyer pamjen origjinale pas një pune të gjatë restaurimi. “Jam mëse i plotësuar – thotë – sepse pasioni im është trashëguar te djemtë e te nipi pesëvjeçar.”

Motorët, sipas tij, kanë fuqi të lartë motorike – 750 kuaj fuqi – dhe ofrojnë një përvojë unike udhëtimi, sidomos në rrugët e gjelbëruara. “Të japin adrenalinë dhe një ndjesi të veçantë.”

Edhe pse i janë ofruar shuma të mëdha për blerjen e motorëve, Ferman Bendaj nuk ka pranuar t’i shesë. “Është amanet – thekson – disa gjëra nuk kanë çmim.”

Mesazhi i tij për të apasionuarit pas automjeteve të vjetra është i qartë: “Mos hiqni dorë nga pasioni juaj.”

Lajmi nga: Armand Xhelili
Armand Xhelili

Armand Xhelili

Armandi Xhelilaj është gazetar me përvojë të gjatë në median vizive dhe të shkruar, me fokus në raportimin nga terreni dhe trajtimin e problematikave sociale e komunitare. Me një formim akademik në Gazetari-Komunikim dhe eksperiencë në televizione ai ka dëshmuar profesionalizëm dhe angazhim të vazhdueshëm në fushën e informimit.

Komente

-