Një kinema në Athinë mban gjallë traditën e afisheve të pikturuara me dorë

Një kinema në Athinë mban gjallë traditën e afisheve të pikturuara me dorë

Titull: Një kinema në Athinë mban gjallë traditën e afisheve të pikturuara me dorë

Në zemër të Athinës, kinemaja Athinaion vazhdon të ruajë gjallë një art që në pjesën më të madhe të botës është zhdukur: afishet e filmave të pikturuara me dorë. Në hollin hyrës të kësaj kineme të njohur, një projektor i vjetër klasik, i vendosur përballë banakut të kokoshkave, është një nga të paktat objekte që ruan stilin retro – por janë afishet gjigante të freskëta të pikturuara me dorë, në fasadën e jashtme të godinës, ato që i japin shpirt vendit.

Që nga filmat klasikë si Pierrot le Fou e deri tek superproduksionet si Avatar, përfshirë edhe rreth një duzinë filmash grekë që prodhohen çdo vit, kinemaja Athinaion ka porositur dhe ekspozuar afishe të pikturuara me dorë për çdo premierë të re në sallat e saj, për 65 vite me radhë. Kjo traditë, që nisi të zbehej në botën e filmit që në mesin e viteve ’70, nuk është braktisur kurrë nga pronarët e kësaj kineme – të gjithë anëtarë të së njëjtës familje – që nga themelimi i saj në vitin 1960.

Pas çdo afisheje qëndron puna e artistes Virginia Axioti, e cila mori stafetën rreth dhjetë vite më parë nga Vassilis Dimitriou, një ish-boksier dhe piktor autodidakt që ndërroi jetë në shtator të vitit 2020. Axioti, e diplomuar në Shkollën e Arteve të Bukura në Athinë dhe mbesa e njërit prej themeluesve të Athinaion-it, është sot piktorja e fundit e afisheve të filmave në Greqi – dhe ndër të fundit në botë – që mban gjallë këtë art të rrallë.

Çdo javë, ajo realizon me dorë afishet për filmat që shfaqen në dy sallat e mëdha të Athinaion-it, duke përdorur bojëra akrilike në studion e saj. Për të dhe për këtë kinema historike, çdo afishe nuk është thjesht reklamë – është një vepër arti që i jep shpirt ekranit të madh.

Lajmi nga: BLU TV Reports

Komente

-