Paqua është 84 vjeçe. Diku, ajo ishte infermiere e palodhur në spitalin e qytetit, ku kaloi mbi 40 vjet duke ofruar kujdes dhe shërbim për qindra pacientë. Ajo qëndroi pranë atyre që kishin më shumë nevojë, duke dhënë gjithçka për të lehtësuar vuajtjet e të sëmurëve. Por sot, pas një jete të tërë përkushtimi, Paqua jeton në kushte tejet të vështira.
Ajo dhe bashkëshorti i saj, të dy në moshë të thyer, banojnë në një apartament të vogël, me një dhomë dhe një kuzhinë. Të ardhurat e tyre janë më pak se 110 euro në muaj, një shumë që nuk mjafton as për ilaçet më të nevojshme për mbijetesë. Paqua tregon për jetën e saj, duke ndarë me ne pamjen e tryezës së vogël që ka sot: “Një kafshatë bukë, pak djathë dhe asgjë më shumë. Ndihma sociale mungon, dhe përkujdesja institucionale është e pakët,” thotë ajo me dhimbje.
“Kam punuar me pasion dhe dashuri,” shprehet Paqua, ndërsa flet për periudhën kur ishte infermiere, duke kujtuar momente të vështira me pacientët. Ajo e ka jetuar profesionin me pasion dhe përkushtim, por sot, shoqëria ka shkuar drejt degradimit, pohon ajo.
Vikimë e Emigracionit dhe Vetmisë
Katër fëmijët e saj janë larguar prej vitesh jashtë vendit në kërkim të një jete më të mirë. Ata nuk janë kthyer më, dhe Paqua as nuk ka më vizita, as telefonata. Vetmia është bërë pjesë e pandashme e ditëve të saj të gjata. Si shumë të moshuar të tjerë, ajo ka mbetur e braktisur, e haruar, dhe e papërkrahur, pas gjithë kontributit të dhënë gjatë viteve të punës.
Një Realitet i Pashëm i Mijëra Të Moshuarve
Historia e Paquas nuk është e vetmja. Mbi 140 mijë të moshuar në Shqipëri jetojnë sot me më pak se 150 euro në muaj. Mijëra prej tyre janë të vetmuar, të braktisur dhe pa mbështetje, pavarësisht kontributit të dhënë gjatë jetës në sektorë kyç të shoqërisë. Emigrimi masiv dhe migrimi i ka lënë këta të moshuar të jetojnë të vetmuar dhe të pambështetur, veçanërisht në qytete dhe fshatra si ato të Qarkut të Gjirokastrës, ku emigrimi ka prekur shumë aspekte të jetës.
Kjo është pamja e vërtetë e pleqërisë që gjithnjë e më shpesh nuk vjen me dinjitet, por me mungesë, harresë dhe dhimbje të heshtur. Paqua, si shumë të tjerë, përballet me një pleqëri të paqartë dhe të mbushur me vuajtje, ndërsa shoqëria shpesh mbetet indiferente ndaj sfidave të atyre që dhanë gjithë jetën për të tjerët.
Komente