Mbi 150 kilometra të bregdetit Adriatik, nga një total prej 270, janë goditur nga fenomeni i erozionit. Episode tronditëse përfshijnë shkatërrimin e një pylli të mbrojtur me pisha, fshirjen e vilave të shndërruara në kioska plazhi dhe zhdukjen e një ishulli që austriakët ia kishin kushtuar Franz Jozefit I.
“Ndryshimi i klimës dhe ndërtimi i egër nga hiperturizmi po kthehen në një përzierje vdekjeprurëse”, shkruan gazeta italiane “La Repubblica”.
Nga Velipoja, ku forca e valëve po shndërron në hi një pyll me pisha shekullore, deri në Golem, ku çimentimi po përshpejton erozionin, bregdeti shqiptar po vuan rëndë. Bëhet fjalë për një kombinim të rrezikshëm të ngrohjes globale dhe urbanizimit kaotik të shkaktuar nga mbiturizmi.
NASA: Detet janë rritur me 10 centimetra në 30 vitet e fundit
Rritja e nivelit të detit po ndikon në të gjithë globin. Sipas NASA-s, nga viti 1993 deri në vitin 2023, niveli mesatar i detit në Tokë është rritur me 10 cm. Në Shqipëri, ku turizmi ka shpërthyer (nga 5.9 milionë vizitorë në vitin 2018 në mbi 10 milionë në vitin 2023), përhapja e pakontrolluar e hoteleve, restoranteve dhe bareve në plazhe po shkakton pasoja të rënda për natyrën.
“Nga 273 kilometra vijë bregdetare që laget nga deti Adriatik, 154 kilometra janë të prekura nga erozioni,” deklaron Besjana Shehu, specialiste e planifikimit urban, për Agence France Presse. Në Velipojë, në veri të Shqipërisë, deti përparon me më shumë se 5 metra çdo vit dhe futet mbi 200 metra në pyll, duke kërcënuar një ekosistem të tërë që nuk mund të mbijetojë në ujë të kripur. Në bregdet, pishat mezi po u rezistojnë valëve agresive. Dhjetëra trungje pemësh shtrihen të bllokuara në rërë, disa të shkulura nga stuhitë e dhunshme të fundprillit.
Ishulli i zbuluar nga hartografët e Perandorisë
Edhe pse ishulli Franz Jozef, në grykëderdhjen e lumit Buna, figuron ende në guidat turistike dhe në harta, që nga viti 2012 ai është zhdukur, pasi është gëlltitur nga deti. I emërtuar nga hartografët austriakë në vitin 1870 për nder të ish-perandorit, ishulli kishte lindur nga depozitime pjellore aluvionale. 150 metra larg bregdetit, 19.5 hektarë të mbuluar me pyje dhe bimësi të egër.
“Një parajsë për shumë lloje zogjsh deti, një strehë paqeje edhe për ne… e zhdukur plotësisht”, thotë Lule Coli, menaxhere e një bari të vogël në plazh. Ishulli u zhduk gradualisht, viktimë e rritjes së nivelit të detit dhe erozionit. Por ndërtimi i digave dhe hidrocentraleve në rajon rezultoi të ishte faktori vendimtar që përshpejtoi zhdukjen, thekson Ervis Krymi, profesor i gjeografisë.
Bunkerët e fundosur të regjimit
Banorët e Kunës, disa kilometra më në jug, janë gjithashtu të shqetësuar. Vit pas viti, stuhitë detare shumohen dhe bregdeti tani ngjan me një varrezë pemësh. “Për shkak të ndryshimeve klimatike në vitet e fundit, deti është bërë shumë agresiv, duke përparuar drejt tokës me një ritëm frenetik”, paralajmëron Jak Gjini, ekspert mjedisor nga Lezha. Bunkerët e ndërtuar gjatë diktaturës komuniste në vitet ’70 janë zhdukur nën ujë. Valët kanë përpirë edhe baret e vogla të familjeve vendase. Forca e detit ishte aq e madhe sa as thasët me rërë nuk bënë punë.
“Këtu dikur kishte dy bunkerë. Tani janë nën ujë. Deti po vjen dhe do të na marrë gjithçka… brenda 4 ose 5 vjetësh nuk do të mbetet asgjë”, thotë Vera Faslliaj, pronare e një restoranti të vogël me emrin “Poseidon”. Ajo e thotë me një zë të dridhur, sikur shpreson që perëndia greke e detit do ta mbrojë.
Autoritetet paralajmërojnë përmbytje masive
Autoritetet shqiptare paralajmërojnë se rritja e nivelit të detit përbën rrezik serioz për përmbytje në shumicën e zonave urbane bregdetare. “Deri në vitin 2030, rreth 1.082,45 km², ose 32% e sipërfaqes së habitateve bregdetare, do të vuajnë pasoja të drejtpërdrejta nga përmbytjet”, vlerëson Agjencia e Emergjencave Civile.
Në Golem, 49 km në jugperëndim të Tiranës, pronarët e hoteleve janë të alarmuar nga indiferenca e autoriteteve përballë erozionit dhe mungesës së politikave për ndalimin e ndërtimeve të pakontrolluara.
“Deti mezi pret që autoritetet të zgjohen”, ankohet Edvin Dule, menaxher hoteli.
Gjatë 16 viteve të fundit, plazhi ka humbur rreth 70 metra vijë bregdetare – shumëfishimi i ndërtimeve e ka përkeqësuar ndjeshëm këtë humbje – duke rrezikuar të ardhmen e turizmit.
“Është një fenomen shumë shqetësues që ka ndikim të drejtpërdrejtë në ekonomi dhe turizëm. Nëse nuk ofrojmë më kushte, çadra, shezlongë, aktivitete plazhi... ne ulim cilësinë e ofertës, e cila më pas përkthehet në shifra”, përfundon Dule.
Profesioniste në fushën e medias dhe edukimit, me përvojë të gjatë në gazetari, bibliotekonomi dhe zhvillimin e projekteve edukative me fokus në etikën dhe komunikimin.
Komente